Shqipëria

‘Ushtari shqiptar’ mes emigrantëve shumëkombësh në Amerikën e fillimviteve 1900


Ellis Island (ishulli Ellis) ishte kthyer në qendrën më të madhe të emigrantëve, të cilët nga e gjithë bota, kishin shkuar të përjetonin ëndrrën amerikane.

Mes viteve 1892 dhe 1954, rreth 12 milionë persona e aksesuan Amerikën pikërisht nga kjo pikë doganore, e vendosur në gjirin e New York-ut.

Augustus Sherman, asokohe rreth të 40-ave, kishte vendosur të blinte një aparat fotografik, pasi i pëlqente të shkrepte e të kornizonte njerëzit. Por jo njerëz çfarëdo. Emigrantët…

Ishte pikërisht Sherman, ai i cili arriti të kapte qindra portrete emigrantësh nga të gjithë vendet e botës.

Dikush i bënte më shumë përshtypje, dikush më pak, por të gjithë e mahnisnin fotografin për veçantinë e stilit që shpërfaqnin me mbërritjen në kontinentin e largët.

Nga Evropa, Afrika, edhe nga Azia madje, fytyrat e tyre tregonin histori nga më të ndryshmet, të cilat janë rrënjosur si një trashëgimi historike e shekullit të XX-të në SHBA.

Sipas Bibliotekës Publike të New York-ut, ku edhe janë ruajtur fotografitë e Sherman, ai u kërkonte njerëzve të vishnin rrobat më tradicionale të mundshme, që i kishin marrë me vete.

Objektivit të tij, nuk mund t’i shpëtonte as një veshje tipike shqiptare, e cila është rijetësuar tashmë dhe është përshtatur me ngjyrat e kohës, duke qenë se origjinali qe stampuar në një format pa ngjyra.

“Ushtari shqiptar”.

Kështu e ka quajtur Sherman modelin e tij nga Ballkani i largët, të cilin për të parën herë po e takonte në qendrën pritëse të ishullit Ellis.

Me qeleshe në kokë (e një modeli që ngjan si e zonës së Shqipërisë së Mesme), me xhamadan të dekoruar me motive tradicionale të mëndafshta, në vitin 1910, Sherman përjetësoi në memorien fotografike amerikane shqiptarin tipik të kohës.

I paindentifikuar me emër, gjithçka dihet për të, është vetëm përshkrimi që autori i ka bërë.

Të pakta janë kombësitë që Sherman nuk ia ka dhuruar shmangien e kohës, duke i stolisur me atributin e persistencës.

Evropianë të kulluar, fshatarë të kontinentit të vjetër, indianë, afrikanë, arabë, të gjithë janë aty, mes të 200-ëve.

Mes të 200-ëve ndër 12 milionë të Ellis Island, ku “Ushtari shqiptar” nuk ka qenë as i pari e as i fundit, por qartësisht i vetmi, i cili është rrënjosur në pakohësinë e të qenit një copëz “americana”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore