Shqipëria

Urimet për 8 Marsin: Fuqizim i grave, parandalim i dhunës në familje


Kryeministri Edi Rama e ka nisur ditën me urimin për Ditën Ndërkombëtare të Gruas.

“Mirëmëngjes me urimin e kësaj dite të nënës sime në qiell e të të gjitha nënave, grave, vajzave në tokë, të cilat janë lulet më të bukura të kësaj bote”, ka shkruar Rama në Facebook.

Ngjashëm e kanë nisur ditën edhe pjesëtarë të kabinetit të tij, të cilët kanë drejtuar urimet e tyre drejt grave dhe vajzave.

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, i ka kushtuar vëmendje parandalimit të dhunës në familje.

Ai zhvilloi një takim në Sallën e Komandimit në Drejtorinë e Policisë Tiranë, aty ku priten edhe raportime të rasteve të dhunës në familje, të cilat më pas ndiqen nga strukturat përkatëse.

Ministri ka vendosur theksin te parandalimi si një çështje e përbashkët e të gjithë institucioneve dhe shoqërisë.

“Ajo që mbetet akoma më shumë për të bërë është parandalimi. Kjo është çështja ku duhet të punojmë bashkë ngushtësisht sepse nuk lidhet vetëm me punën e policisë, nuk lidhet vetëm me shoqërinë civile apo gjithë institucionet shtetërore që merren me përkujdesjen sociale, por lidhet me të gjithë ne”, ka thënë ai.

Po ashtu ka shtuar se “kjo nuk është një gjë e lehtë. Kërkon mobilizim dhe koordinim të të gjithë strukturave. Sot Policia e Shtetit është gati për të kontribuar në këtë kombinim të të gjithë institucioneve për të arritur qëllimin final”.

Për raportimin e rasteve të dhunës në familje te Policia e Shtetit janë disa kanale, duke filluar që nga Komisariati Digjital e deri te sportelet pranë komisariateve, aplikacioni “Bright Sky” apo telefonatat në sallën e komandimit në çdo drejtori vendore. Te Salla e Komandimit të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë mbi 60% e punonjësve janë gra e vajza.

Sakaq, ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, e ka drejtuar vëmendjen e kësaj dite te fuqizimi i grave në shoqëri.

“Çdo ditë e më shumë luftojmë për të drejtat e grave dhe vajzave, për fuqizimin politik, ekonomik dhe social-kulturor të tyre”, ka shkruar ajo në Facebook.

Po ashtu ka shtuar se agjenda për gratë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së mbetet një nga prioritetet kryesore.

Kurse Niko Peleshi, ministri i Mbrojtjes, ka theksuar se në radhët e Forcave të Armatosura është rritur numri i grave dhe roli i tyre njëherazi.

Në takimin e organizuar me rastin e 8 Marsit nga Forcat e Armatosura shqiptare dhe Zyra e Bashkëpunimit të Mbrojtjes, ministri ka vënë në dukje fuqizimin e rolit të grave, në përgjegjësi të reja dhe detyra të larta.

“Ne krenohemi shumë për gratë tona të guximshme në uniformë për kontributin e tyre të shkëlqyer. Shqipëria mbështet plotësisht rëndësinë e rolit të gruas në forcimin e paqes dhe sigurisë”, ka thënë ai.

Ai ka vijuar se, në përputhje të plotë me Strategjinë Kombëtare për Barazinë Gjinore dhe Planin Kombëtar të Veprimit 1325, Ministria e Mbrojtjes ka përfshirë perspektivën gjinore në politikat dhe procedurat e saj të rekrutimit duke promovuar dhe rritur lidershipin e grave në hierarkinë ushtarake.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore