Euro 2020

“Urdhra nga lart. Franco tha jo” – kur Spanja braktiste Euro 1960


Euro 1960 ishte turneu i parë i këtij lloji që organizohej ndonjëherë. Por, pas vendimit të Gjeneral Francisco Franco-s, Spanja do të ishte kombëtarja e parë që bojkotonte turneun. Ai nuk i lejoi spanjollët të shkonin në Moskë, për t’u përballur me Bashkimin Sovjetik.

Spanja dhe Bashkimi Sovjetik do të ndesheshin për çerekfinalet e Euro 1960-s. Mosparaqitja e spanjollëve u hapi rrugën sovjetikëve për të triumfuar në Francë.

Në gjysmëfinale u përballën Çekosllovakia me Bashkimin Sovjetik dhe Franca me Jugosllavinë. Në finale më pas shkuan Bashkimi Sovjetik dhe Jugosllavia, me sovjetikët që arritën të ngrinin trofeun.

E gjithë situata ishte me prapavijë politike, pasi Lufta e Ftohtë mes Bllokut Lindor dhe Bllokut Perëndimor ishte në pothuajse mesin e “lulëzimit” të saj.

Sipas raportimeve të kohës, Gjeneral Franco ishte kundër dy rregullave bazë të UEFA-s. E para, valëvitja e një flamuri të huaj në stadiumin pritës dhe, e dyta, luajtja e himnit të atij vendi. Çka nënkuptonte se, në ndeshjen e kthimit, në Spanjë do të duhet të valëvitej flamuri dhe të vendosej himni i Bashkimit Sovjetik.

Kjo mendohet se ka qenë një nga arsyet kryesore të ndalimit të Spanjës në këtë turne, pasi Bashkimi Sovjetik ishte një nga palët mbështetëse të “Republikanëve” në Luftën Civile të Spanjës. Ndërsa, Franco ishte pjesë e “Nacionalistëve” që erdhën në pushtet pas asaj lufte.

Franco-s frikësohej se, mos gjatë ekzekutimit të himnit sovjetik, do të kishte ndonjë incident nga ana e mbështetësve të komunistëve dhe pjesa e shtypur e popullit.

Më 25 maj 1960, dy ditë përpara se Kombëtarja e Spanjës të udhëtonte drejt Moskës, lojtarëve iu komunikua se nuk do të shkonin askund.

Alfredo di Stefano, një nga lojtarët më të njohur të kohës dhe legjendë e Real Madrid-it, klubit që mbështeste Gjenerali Franco, pasi më herët kishte humbur mundësitë e njëpasnjëshme për të marrë pjesë në Kupat e Botës, reagoi me zemërim ndaj ndalimit të Kombëtares për të mos shkuar në Moskë.

Por, ishte presidenti i Federatës Spanjolle të Futbollit, Alfonso de la Fuente Chaos-i, që i tha Di Stefano-s: “Urdhra nga lart. Franco tha ‘jo’”.

Të nesërmen lajmi u përhap në të gjitha gazetat e Spanjës, por kjo çështje kaloi në heshtje atje. Ndërsa, në Bashkimin Sovjetik, Nikita Hrushovi nuk kurseu batutat duke thënë se “anësori i djathtë shënoi autogol”.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore