Lajme

Turqia mund të kontribuojë në procesin e dialogut


Tunc Angili

Turqia është e gatshme të jetë pjesë e procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në rast se të dyja palët pajtohen për një gjë të tillë.

Kështu të paktën ka theksuar ambasadori i Turqisë në Kosovë, Tunc Angili, sipas të cilit në Ballkanin Perëndimor duhet të mbizotërojë stabiliteti dhe paqja, meqë ngjarjet në Ballkan ndihen thellë edhe në Turqi.

“Politika jonë është e qartë, ne po përpiqemi të zhvillojmë marrëdhënie të barabarta dhe të bazuara në përfitime reciproke me të gjithë në Ballkan. Kjo është e njëjta gjë për Kosovën dhe vendet e tjera të Ballkanit. Si e tillë, kjo forcon pozicionin e Turqisë si një aktor i besueshëm”, tha ai në një intervistë për agjencinë turke të lajmeve, Anadolu.

Sipas diplomatit turk në procesin e dialogut Kosovë-Serbi nuk mund të ketë zgjidhje ushtarake, por vetëm diplomatike.

Duke folur për kontributin e dhënë nga Turqia për forcimin e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Angili, potencoi se fushata në fjalë nuk është kundër asnjë shteti tjetër, përfshirë Serbinë.

“Ne besojmë se e vetmja rrugë për të gjetur një zgjidhje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është dialogu. Nuk ka zgjidhje ushtarake për këtë problem, por mund të zgjidhet me dialog”, tha ai.

Ambasadori turk ka potencuar ndër të tjera se Kosova ka nevojë për investime në fushën e ndërtimit dhe energjetikës në periudhën e ardhshme.

“Ka kompani nga Turqia të cilët janë të gatshme të investojnë këtu. Me investimet dhe prodhimin që bëjnë këtu, ata mund të eksportojnë në BE dhe SHBA, duke rritur kështu punësimin dhe eksportin e Kosovës. Kjo e bën bashkëpunimin ekonomik mes nesh më të qëndrueshëm. Investimet aktuale turke në Kosovë janë mbi 400 milionë euro”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore