Lajme

Tri vjetët e Qeverisë Kurti, AAK-ja kërkon debat parlamentar


Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka bërë kërkesë që të caktohet seancë për debat për tri vjetët e Qeverisë Kurti.

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, pas mbledhjes së kryesisë ka thënë se konsiderojnë se Kosova është duke stagnuar.

“Një kryeministër që ka një plan qeverisës, që ka objektiva qeverisëse, ai nuk flet për zgjedhjet e parakohshme. Ai flet se si të përmbyllë vitin e tij katërvjeçar, nuk flet për zgjedhje. Në atë moment kur të flet për zgjedhje ai është dorëzuar. Problem nuk është Kuvendi, problem është Qeveria”, ka thënë ai.

Ndërsa, ka shtuar se AAK-ja ka kërkuar që një vit e gjysmë që të shkarkohet kryeministri Albin Kurti.

“Ne si AAK e kemi kërkuar shkarkimin e tij që 1 vjet e 6 muaj. Z. Kurti në strategjinë e tij e ka viktimizimin dhe ky viktimizim nuk kalon. Ne do ta thërrasim në interpelanca, në debate. Ballafaqimi i parë duhet të jetë në debatin për 3-vjetorin qeverisës”.

Më 25 mars edhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka bërë të ditur se ka dorëzuar kërkesë për seancë të jashtëzakonshme në emër të 40 deputetëve të Kuvendit.

Lajmin e ka bërë të ditur shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.

“Kjo seancë do të shqyrtojë propozimin për themelimin e komisionit hetimor parlamentar për kontratat njëburimore që grupi ynë parlamentar e ka parashtruar të premten e javës së shkuar”, ka shkruar Tahiri në rrjetin social ‘Facebook’.

Tutje ai ka thënë se ky skandal duhet të ketë hetim deri në fund nga institucionet.

“Jo vetëm këto kontrata por edhe miliona eurot e tjera, shpenzimi i të cilave është bërë në mënyrë të kundërligjshme. Shumica parlamentare e ka mundësinë që të votojë këtë komision e të dëshmojë vullnetin për t’u bashkuar në kërkesën për llogaridhënie që duhet ta ushtrojë Kuvendi”.

Sipas tij, kundërshtimi i themelimit të këtij komisioni nga deputetet e pozitës do të tregojë frikën për t’u përballur me realitetin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore