Lajme

PDK dorëzon kërkesë për seancë të jashtëzakonshme lidhur me kontratat njëburimore


Partia Demokratike e Kosovës.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka bërë të ditur se ka dorëzuar kërkesë për seancë të jashtëzakonshme në emër të 40 deputetëve të Kuvendit.

Lajmin e ka bërë të ditur shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.

“Kjo seancë do të shqyrtojë propozimin për themelimin e komisionit hetimor parlamentar për kontratat njëburimore që grupi ynë parlamentar e ka parashtruar të premten e javës së shkuar”, ka shkruar Tahiri në rrjetin social ‘Facebook’.

Tutje ai ka thënë se ky skandal duhet të ketë hetim deri në fund nga institucionet.

“Jo vetëm këto kontrata por edhe miliona eurot e tjera, shpenzimi i të cilave është bërë në mënyrë të kundërligjshme. Shumica parlamentare e ka mundësinë që të votojë këtë komision e të dëshmojë vullnetin për t’u bashkuar në kërkesën për llogaridhënie që duhet ta ushtrojë Kuvendi”.

Sipas tij, kundërshtimi i themelimit të këtij komisioni nga deputetet e pozitës do të tregojë frikën për t’u përballur me realitetin.

“Shumica parlamentare e ka mundësinë që të votojë këtë komision e të dëshmojë vullnetin për t’u bashkuar në kërkesën për llogaridhënie që duhet ta ushtrojë Kuvendi. Në të kundërtën, çdo tentim për bllokim ose refuzim të themelimit të këtij komisioni është dëshmi e qartë e panikut dhe frikës për t’u ballafaquar me faktet dhe të vërtetën e cila herët ose vonë do të triumfojë”.

“Hetimi do të ndodhë patjetër!”, ka shtuar ai.

Më 16 mars, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa, në një konferencë për media të shtunën, ka potencuar se Qeveria aktuale e Kosovës ka nënshkruar 781 kontrata njëburimore që kapin vlerën prej 208 milionë eurove.

Sipas tij vetëm 2.5 për qind e këtyre kontratave janë si vazhdim i kontratave të mëhershme, ndërsa 97.5 për qind e kontratave njëburimore janë të kësaj Qeverie.

Andaj ai i ka bërë thirrje Prokurorit të Shtetit që të hetojë rastet me tenderët njëburimor.

Ndryshe të enjten në mungesë të kuorumit të enjten nuk u hodh në votimi Rezoluta në lidhje me numrin e kontratave njëburimore të nënshkruara gjatë mandatit të Qeverisë Kurti në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit.

Iniciuesja e seancës, deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, paraqiti rezolutën, ku mes tjerash kërkohej që ministrat t’i raportojnë me shkrim Komisionit parlamentar për mbikëqyrjen e financave publike për numrin e kontratave njëburimore dhe arsyeshmërinë e tyre.

Po ashtu që Zyra Kombëtare e Auditimit të auditojë të gjitha kontratat njëburimore, pas miratimit të kësaj rezolute, si dhe Qeveria të sjellë draft-ligjin e ri për prokurimin publik.

Krahas këtyre, Bajrami paraqiti nevojën edhe të themelimit të një komisioni hetimor parlamentar në lidhje me kontratat njëburimore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore