Lajme

LDK: Prokuroria t’i hetojë kontratat njëburimore, Qeveria nënshkroi mbi 700 sosh


Besian Mustafa dhe Visar Azemi

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa, në një konferencë për media të shtunën, ka potencuar se Qeveria aktuale e Kosovës ka nënshkruar 781 kontrata njëburimore që kapin vlerën prej 208 milionë eurove.

Sipas tij vetëm 2.5 për qind e këtyre kontratave janë si vazhdim i kontratave të mëhershme, ndërsa 97.5 për qind e kontratave njëburimore janë të kësaj Qeverie.

Andaj ai i ka bërë thirrje Prokurorit të Shtetit që të hetojë rastet me tenderët njëburimor.

“Këto janë kontratat ku nuk lejohet konkurrenca e lirë, negocimi bëhet në katër sy nga zyrtarët e ministrisë apo vetë ministrat dhe përfaqësuesit e kompanisë. Të enjten, kemi ftuar seancë të jashtëzakonshme për këtë temë. Të zënë ngushtë dhe të paaftë për ballafaqim edhe ministrat e deputetët e VV-së lëshuan sallën”, ka thënë ai në një konferencë për media.

Mustafa ndër të tjera gjatë konferencës ka shfaqur disa të dhëna, të cilat, sipas tij janë kontratat që secila ministri i ka nënshkruar.

“Në ministrinë e Ekonomisë duke përfshirë edhe ndërmarrjen publike që i raportojnë kësaj ministrie, kemi 152 kontrata të tilla me vlerë prej mbi 124 milionë. Në Ministrinë e Punëve të Brendshme kemi 33 kontrata të negociuara në katër sy me vlerë prej mbi 25 milionë euro”.

“Në Ministrinë Infrastrukturës ku përfshihet edhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor kemi 69 kontrata të tilla me vlerë prej 10 milionë euro. në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit 56 kontrata të tilla me vlerë prej mbi 4 milionë euro, në Ministrinë e Drejtësisë kemi 13 kontrata me vlerë mbi 4 milionë euro”.

Ndryshe të enjten në mungesë të kuorumit të enjten nuk u hodh në votimi Rezoluta në lidhje me numrin e kontratave njëburimore të nënshkruara gjatë mandatit të Qeverisë Kurti në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit.

Iniciuesja e seancës, deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, paraqiti rezolutën, ku mes tjerash kërkohej që ministrat t’i raportojnë me shkrim Komisionit parlamentar për mbikëqyrjen e financave publike për numrin e kontratave njëburimore dhe arsyeshmërinë e tyre.

Po ashtu që Zyra Kombëtare e Auditimit të auditojë të gjitha kontratat njëburimore, pas miratimit të kësaj rezolute, si dhe Qeveria të sjellë draft-ligjin e ri për prokurimin publik.

Krahas këtyre, Bajrami paraqiti nevojën edhe të themelimit të një komisioni hetimor parlamentar në lidhje me kontratat njëburimore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore