Lajme

Trendi i rritjes së numrit të dhunës në familje, sfidë për Kosovën, përmendet edhe në raportin e progresit të BE-së


Ilustrim

Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar tetë raste të dhunës në familje në pesë qytetet të Kosovës.

Dy raste të dhunës në familje kanë ndodhur në Komunën e Prishtinës.

Sipas raportit të Policisë së Kosovës, një person është arrestuar pasi ka sulmuar fizikisht bashkëshorten.

“Nuk raportohet për të lënduar ndërsa, me vendim të prokurorit i dyshuari dërgohet në mbajtje”, thuhet në raport.

Policia njofton se rasti tjetër në Prishtinë ka ndodhur në ora 14:00, ku një person është arrestuar pasi ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij pas një mosmarrëveshje. Ndërsa me vendim të prokurorit i dyshuari lirohet në procedurë të rregullt.

Një rast tjetër tjetër i dhunës në familje ka ndodhur në qytetin e Lipjanit, ku një person është arrestuar pasi ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij.

“Nuk raportohet për të lënduar ndërsa, me vendim të prokurorit i dyshuari dërgohet në mbajtje”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Edhe në Graqanicë, një person është arrestuar, pasi i njëjti nën ndikimin e alkoolit ka fyer dhe maltretuar viktimën femër.

“Me vendim të prokurorit i dyshuari dërgohet në mbajtje”.

Edhe në qytetin e Pejës janë arrestuar dy persona pasi të njëjtit pas një mosmarrëveshje janë përleshur fizikisht mes vete.

“Si pasojë njëri prej tyre ka pësuar lëndime trupore dhe i njëjti ka pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit pas intervistimit njëri nga të dyshuarit dërgohet në mbajtje ndërsa tjetri lirohet në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftimin e PK-së.

Një rast tjetër në këtë qytet ka ndodhur në ora 17:00 dhe është arrestuar një i dyshuar pasi i njëjti ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij.

Ndërsa viktima ka pranuar tretman mjekësor. Kurse i dyshuari me vendim të prokurorit pas intervistimit dërgohet në mbajtje.

Po ashtu rast të dhunës në familje ka pasur edhe në qytetin e Rahovecit, ku një grua me nënshtetësi të Shqipërisë ka njoftuar se bashkëshorti i saj ka ushtruar dhunë fizike ndaj saj dhe vajzës së saj.

Ndërsa, viktimat nuk kanë pasur nevojë për tretman mjekësor. Sipas Policisë rasti është nën hetime nga njësitë relevante.

Edhe në Gjakovë është arrestuar një person i cili pas një mosmarrëveshje ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij.

“Me vendim të prokurorit pas intervistimit i dyshuari lirohet dhe rasti shkon në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim.

Ndërsa, në çdo raport të Policisë së Kosovës gjatë 24 orëve regjistrohen shumë raste të dhunës ndaj grave.

Ndërkaq, në raportin e Progresit nga Bashkimi Evropian (BE), për Kosovën është cekur që dhuna në familje ende mbetet sfidë për institucionet e Kosovës. Po ashtu thuhet se qeveria ka vazhduar mbrojtjen grave si viktima të dhunës në familje dhe me bazë gjinore gjatë shpërthimit të COVID-19.

“Strehimoret për dhunën me bazë gjinore dhe trafikimin e qenieve njerëzore kanë vazhduar duke ofruar shërbime në çdo kohë. Në burg, pandemia u menaxhua mirë, pavarësisht vështirësive rrethanat. Kufizimi i kontakteve me botën e jashtme u kompensua duke bërë të mundur kontaktet me video dhe mjete të tjera”, thuhet në raport.

Në Kosovë ende ka mungesë të ligjeve për parandalimin dhe luftimin e dhunës kundër grave.

“Ligji për Dhuna në Familje nuk është ende në përputhje me Kodin Penal të rishikuar as me Këshillin e Konventa Evropiane për parandalimin dhe luftimin e dhunës kundër grave dhe familjeve dhuna (Konventa e Stambollit), kjo e fundit e cila është pjesë e Kushtetutës së Kosovës që nga ajo kohë”, thuhet më tej në raport.

“Strategjia dhe plani i veprimit për mbrojtjen kundër dhunës në familje skaduar në vitin 2020, nuk ka ende një zëvendësim”.

Ndërsa kanë shkruar se raportimi i rasteve të dhunës mbetet ende i ulët.

“Në përgjithësi, raportimi i dhunës në familje mbetet i ulët (1 mijë 632 raste në 2020; 889 raste nga janari deri në maj 2021). Data baza e integruar  për rastet e dhunës në familje dhe me bazë gjinore po përdoret gjithnjë e më shumë nga policia, mbrojtësit e viktimave, gjykatat dhe punonjësit social në qendrat për shërbimet sociale”.

Pse ka trend të rritjes së numrit të rasteve të dhunës në familje?

Sociologu Ferdi Kamberi, për Albanian Post ka treguar disa nga shkaqet që ndikojnë në dhunën në familje.

“Janë faktorët socio-ekonomik, janë faktorët individual përfshirë përdorimin e alkoolit, substancave  narkotike, xhelozia, afekti, pastaj mosmarrëveshjet e ndryshme të cilat prodhojnë situata konfliktueze dhe mos menaxhimi adekuat i konfliktit brenda për brenda familjeve, si dhe faktorë të tjerë”, ka thënë Kamberi.

Dhunën në familje Kamberi e ka cilësuar si shqetësues jo vetëm për familjen, por edhe për institucionet, dhe vetë shoqërinë kosovare, sepse një shoqëri e cila rritet dhe zhvillohet me dhunë padyshim që më pas do të gjendet në një situatë të vështirë dhe probleme të theksuara.

Sipas tij, dhuna në familje  ndikon edhe në personalitetin e fëmijëve dhe fëmijët të cilët pastaj edukohen dhe rriten në ambiente të dhunshme ata/ato mund të kenë probleme në të ardhmen.

Kamberi ka shtuar “nëse nuk merren masa parandaluese padyshim kjo mund të paraqes edhe probleme të mëdha për shoqërinë kosovare”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore