Lajme

Tre minatorë dërgohen pa vetëdije në Spitalin e Mitrovicës


Miniera e Trepçës.

Tre minatorë të “Trepçës”, janë dërguar pa vetëdije në Spitalin e Mitrovicës, në ditën e katërt të kësaj greve, por sërish insistimi i tyre ka qenë se nuk do ta ndërpresin grevën deri në plotësimin e kërkesave.

Lajmin për gjendjen e minatorëve e ka konfirmuar kryetari i Sindikatës së Trepçës, Ibrahim Jonuzi.

“Gjendja është alarmante, ndihma e shpejtë po vjen dhe po merr punëtorë pasi po u përkeqësohet gjendja”.

Ai ka thënë se numri i punëtorëve të Trepçës ka shkuar në katër të cilët kanë kërkuar tretman mjekësor për katër ditë.

“Sot dita e katërt, deri më tash janë katër punëtorë që janë dërguar për tretman mjekësor”, ka thënë ai për Albanian Post.

Më 25 tetor, edhe një punëtori i është përkeqësuar gjendja shëndetësore të cilin më pas e kanë dërguar në spitalin rajonal të Mitrovicës.

Fotografi e publikuar të martën.

Minatorët e “Trepçës”, që nga e premtja kanë bojkotuar punën meqë nuk u janë ekzekutuar pagat për muajin shtator.

Edhe të enjten në seancën e Kuvendit të Kosovës, është diskutuar për grevën e minatorëve të Trepçës, e po ashtu është shkarkuar Bordi i Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale.

Por, që s’është marrë asnjë vendim konkret nga ekzekutivi për të parandaluar këtë grevë.

Punëtoret e Trepçës, së fundmi kishin protestuar për dy ditë radhazi për mos marrjen e pagave të muajit korrik.

Kompleksi metalurgjik Trepça, deri në vitet 90 atëherë kur ishte përkeqësuar situata politike, ishte llogaritur si një prej ndërmarrjeve më të mëdha, jo vetëm në Kosovë, por edhe në territorin e Jugosllavisë së atëhershme.

Rënia e prodhimit ka nisur në vitet 90 kur regjimi i atëhershëm i Serbisë ka vendosur masa të dhunshme në Kosovë, kështu duke mbyllur gati të gjitha ndërmarrjet dhe institucionet në vend.

Ndërmarrja nuk ka arritur asnjëherë të vihet në funksion të zhvillimit ekonomik të Kosovës, por pritet të kalojë nën Fondin Sovran të Qeverisë së Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore