Kosova

Trajkoviç zbulon akordin e fshehur mes kompanive të autobusëve nga Kosova dhe Qeverisë së Serbisë


Rada Trajkoviç

Rada Trajkoviç, këshilltare politike në Qeverinë e Kosovës, pretendoi se pronarët e autobusëve që transportuan protestuesit serbë nga veriu i Kosovës në Beograd, në tubimin mbështetës për presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, do të shpërblehen nga autoritetet serbe.

Në një intervistë për të përditshmen malazeze “Pobjeda”, ajo pohoi se shpërblimi për kompanitë kosovare të transportit, vjen në formën e lehtësimit të qarkullimit të autobusëve, të cilët kalojnë nëpër Serbi e më pas në shtetet evropiane ose anasjelltas.

“Thuhet se autoritetet në Beograd kanë premtuar atyre qarkullim më të lehtë gjatë transportit të njerëzve nga Kosova në disa vende të tjera evropiane”, tha Trajkoviç.

Por, beson ajo, akordi s’ishte veç mes dy palëve. Për Trajkoviç-in edhe qeveria e Kosovës mund të ketë mbyllur një sy në këtë situatë, ndryshe do të gjente mënyrën e stopimit të transportimit të njerëzve nga veriu për në protesta.

Prishtina zyrtare, thotë Trajkoviç “di të ndalojë edhe transportin e ushqimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, prandaj “këtë (organizimin e udhëtimit) nuk do ta bënin sikur të kishin marrë sinjale nga Prishtina”.

Gjithashtu, edhe lëvizja kombëtare e serbëve të Kosovës “Atdheu” pretendonte se “problemi kryesor” për organizatorët është mungesa e autobusëve dhe se, siç thoshin ata, Qeveria e Serbisë “po negocionte me qeverinë e Albin Kurtit” që kompanitë shqiptare të transportit t’i çojnë serbët në tubim.

Ndryshe, një grup prej 23 të rinjsh nga Leposaviqi dhe 11 nga Mitrovica e Veriut, ishin nisur këmbë në drejtim të Beogradit. Ata deklaruan se udhëtimin e kanë nisur me iniciativë të tyre me qëllim që gjoja t’i japin mbështetje presidentit serb për të shpëtuar Serbinë.

Me flamuj serbë e me bluza ku shkruhej “Për Serbinë, për Vuçiç-in – serbët nga Kosova”, ata ecën 500 kilometra për nëntë ditë dhe synuan të tregonin se kjo nuk është asgjë në krahasim me “vendosmërinë” për të treguar unitet dhe harmoni në “kohë të vështira” për Serbinë.

Ndërkaq, një numër i konsiderueshëm i serbëve të veriut kishin udhëtuar drejt Beogradit me autobusë. Trasnportimi i tyre drejt Beogradit është bërë në bashkëpunim me kompanitë kosovare të autobusëve, siç janë “Barileva Turist”, “Fehmi Company”, “Kaltrina Travel” e “Shetit.com”.

“Pse m’ju tregu, a jeni policia a?”, pronari i kompanisë “Barileva” refuzon të tregojë kush ia kontraktojë autobusët për Beograd

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore