Lajme

“Pse m’ju tregu, a jeni policia a?”, pronari i kompanisë “Barileva” refuzon të tregojë kush ia kontraktojë autobusët për Beograd


Ndonëse rrugët e Beogradit, këtë të premte, janë mbushur me autobusë të kompanive të ndryshëm kosovare, pronari i “Barileva Turist”, Naser Januzi, ka mohuar në mënyrë kategorike se autobusët ne pronësi të tij kanë transportuar protestuesit serb nga Veriu i Kosovës për në Beograd këtë të premte, në tubimin e thirrur nga Partia Progresive Serbe.

“Ne nuk kemi marrë pjesë në atë organizim nga Veriu”, tha Januzi fillimisht për Albanian Post.

Sipas tij gjithë në këtë mes ka një keqkuptim meqë në shpjegimin e tij nonsense, Januzi thotë se autobusët në fjalë janë nisur nga Serbia, e jo nga Veriu i Kosovës.

“Autobusët tonë? Ku po shihen? Po janë nisur nga Serbia atje jo nga Veriu”, tenton të argumentoi ai duke shtuar se “nga Kosova autobusët kanë shkuar të zbrazur në Serbi. Kemi shkuar pa njerëz deri atje, sepse atje ka pas nevojë për transport, nga Nishi në Beograd”.

I pyetur se nga kush janë kontraktuar autobusët e kompanisë së tij, Januzi i indinjuar me pyetjen ka refuzuar të përgjigjet.

“Ti a je polici a çka? Pse me të dhënë llogari kush na ka kontaktuar. Një agjenci na ka kontraktuar. Pa kontraktim na nuk kishim shkuar”, ka shtuar ai.

“Nuk e di a kanë shkuar në protestë a për qejf a për dasmë, neve na kanë thirrur, kemi nevojë, a keni mundësi me na i pru kaq autobusë për të dërguar kaq njerëz në Beograd”, përfundoi ai komunikimin përmes telefonit, pa treguar më shumë detaje rreth organizimit.

Përveç serbëve të cilët nga Veriu i Kosovës u nisën javë më parë në këmbë drejt Beogradit për të marrë pjesë në tubimin e thirrur nga Partia Progresive Serbe, një numër i konsiderueshëm i serbëve, këtë të premte kanë udhëtuar drejt kryeqytetit të Serbisë.

Trasnportimi i tyre drejt Beogradit është bërë në bashkëpunim me kompanitë kosovare të autobusëve, siç janë “Barileva Turist”, “Fehmi Company”, “Kaltrina Travel” e “Shetit.com”.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ndryshe një ditë më parë kërkoi ndjesë qytetarëve serbë për ditën e nesërme, e cila, sipas tij, “do të jetë një kolaps i plotë trafiku në të gjitha pjesët e qytetit të Beogradit”.

Ky kolaps, siç po raportojnë mediat në Serbi, është shkaktuar edhe nga shumë autobusë të kompanive kosovare të cilët janë kontraktuar nga serbët e Veriut për të transportuar këta të fundit për në Beograd.

Ndryshe Lëvizja kombëtare e serbëve të Kosovës “Atdheu” – kundërshtare politike e Listës Serbe – të hënën u ka bërë thirrje serbëve në Veri që të mos shkojnë në tubimin e thirrur nga Partia e Vuçiç’it dhe “të mos bien në propagandën e Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe të SNS-së”.

Në njoftim, ashtu siç transmeton gazeta opozitare serbe “Danas“, thuhet se “problemi kryesor” për organizatorët është mungesa e autobusëve dhe se, siç pretendojnë ata, Qeveria e Serbisë “po negocion me qeverinë e Albin Kurtit” që kompanitë shqiptare të transportit t’i çojnë serbët në tubimin e së premtes.

Po ashtu, nga kjo inciativë kanë deklaruar se punonjësit “në institucionet e mbetura të Serbisë në Kosovë” po kërcënohen me humbje të vendeve të punës nëse nuk shkojnë në tubim. Ata shtuan se spitali në Mitrovicën e Veriut duhej t’i dërgonte rreth 500 njerëz në Beograd.

Në anën tjetër mediat serbe, kryesisht ato opozitare po raportojnë se tashmë Beogradi është vërshuar me autobusë dhe serbë të cilët kanë ardhur në Beograd për të mbështetur Vuçiç’in.

Kaltrina Travel duke transportuar serbët e Kosovës për në Beograd

Ndryshe presidenti serb, të enjten ka takuar disa serbë, të cilët ishin nisur në këmbë nga Veriu i Kosovës për të marrë pjesë në tubimin e thirrur nga Partia Progresive Serbe, që planifikohet të mbahet më 26 maj në Beograd.

Në pritjen e organizuar në Presidencën e Serbisë, ai iu tha serbëve se “falë jush ne ende po luftojmë për Kosovën”, ndërsa shtoi se “këto nuk janë kohë të lehta për vendin tonë”.

Vuçiç u shpreh krenar për mundësinë të presë serbët nga Kosova të paktën, siç tha ai, për një kohë të shkurtër dhe t’i falënderojë ata për mbështetjen që i kanë dhënë shtetit të Serbisë.

“Jam krenar që ju ruani vatrat tona, kujdeseni për vendin dhe që me gjithë presionet e doni atë”, deklaroi Vuçiç, i cili më pas u ankua në bashkësinë ndërkombëtare.

Tubimi i cili do të mbahet të premten organizuar nga partia të cilën e udhëheqë vetë Vuçiç’i është si reaksion e protestave masive të organizuara kundër dy vrasjeve masive të cilat ndodhën njëra pas tjetrës javët e kaluar ku humbën jetën 17 persona.

Protestuesit e indinjuar ndaj institucioneve shtetërore në serbi protestuan jashtë ndërtesës së Parlamentit serb ku lexuan kërkesat e tyre dhe më pas marshuan në heshtje nëpër qytet.

Protestuesit gjithashtu kanë kërkuar edhe dorëheqjen e ministrit të Punëve të Brendshme të Serbisë, Bratislav Gasiç dhe drejtorit të Agjencisë së Sigurisë (BIA), Aleksandër Vulin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore