Euro 2020

‘Timonierët’ e skuadrave, Senol Gunes-i përballë Roberto Mancini-it


Italia dhe Turqia do të luajnë në ndeshjen hapëse të Kampionatit Europian, Euro 2020. Ndeshja do të zhvillohet në stadiumin “Olimpico” të Romës, në orën 21:00.

Dy teknikët janë ekspertë tanimë dhe gjeni taktikash. Mancini, ndonëse ka një karrierë të pasur si trajner, e ka për herë të parë që trajnon një kombëtare dhe shkon në një kompeticion të rëndësishëm për shtete.

Në krahun tjetër, Gunes-i, në ndryshim nga Mancini, ka qenë edhe më herët në krye të kombëtares.

Ai mbahet mend nga tifozët, sidomos nga ata të Turqisë, si njeriu që arriti ta dërgonte Turqinë në gjysmëfinalen e Kupës së Botës në 2002.

Asokohe, Kombëtarja e Turqisë u mposht në gjysmëfinale nga Brazili, me rezultatin e ngushtë 1-0, me golin e Ronaldo “Fenomenit”. Ndërsa u rendit e treta, pasi mundi Korenë e Jugut në përballjen për vendin e tretë, me rezultatin 3-2.

Gjithashtu, Gunes-i me Turqinë e tij në 2003, arriti të dilte po në vendin e tretë në Kupën e Konfederatave, ku mundi Kolumbinë me rezultatin 3-1.

Po t’i referohemi në nivel klubesh, të dy teknikët janë shumë të suksesshëm. Mancini sigurisht që ka drejtuar klube më prestigjoze dhe ka trofe më të rëndësishëm në karrierë.

56-vjeçari ka fituar tri herë Serinë A me Inter-in, një herë Premier Ligën me Manchester City-n, një herë Kupën FA dhe Superkupën e Anglisë me City-n, një Kupë të Turqisë me Galatasaray-n dhe katër Kupa të Italisë me Inter-in (dy), Lazio-n dhe Fiorentina-n.

69-vjeçari Gunes ka fituar dy kampionate të Turqisë me Besiktas-in, dy Kupa dhe dy Superkupa të Turqisë me Trabzonspor-in, ekipin e vendlindjes dhe ekipin ku luajti pjesën më të madhe të karrierës së tij si futbollist.

Përpara ndeshjes, të dy teknikët kanë folur. Mancini tha se “ndeshja e parë është gjithmonë më e vështira. Ne duhet të heqim tensionin dhe të mos mendojmë për gjëra të tjera, vetëm të përqendrohemi në atë që duhet të bëjmë”.

“Ne kemi lojtarë të shkëlqyer dhe kemi krijuar një frymë ekipore të shkëlqyeshme. Ne jemi argëtuar dhe duam të vazhdojmë të argëtohemi, dhe unë kam shumë besim se do të arrijmë në Londër”, shtoi ish-tekniku i Manchester City-t, me bindje se Italia do të lërë gjurmë këtë kompeticion.

Trajneri i Turqisë, Gunes tha për mediat se “nuk jemi favoritë ndaj Italisë dhe Mancini na njeh”, duke shtuar se “e dimë që krahasimi është shumë i vështirë për ne gjithashtu, sepse Mancini e njeh Turqinë që ka qenë trajner i Galatasaray”.

“Italia ka një grup të fortë dhe lojtarë të shkëlqyer në dispozicion”, vijoi të thoshte tekniku 69-vjeçar, “do të jetë një sfidë shumë e komplikuar. Edhe ne e dimë fuqinë e kundërshtarëve dhe dobësitë e tyre”, përfundoi ai, duke lënë të kuptohet se në ndeshje teke mund të ndodhë gjithçka.

Formacionet e mundshme për dy teknikët, në ndeshjen hapëse të Euro 2020, pritet të jenë:

Italia (4-3-3): Donnarumma; Di Lorenzo, Bonucci, Chiellini, Spinazzola; Barella, Jorginho, Locatelli; Chiesa, Immobile, Insigne.

Turqia (4-1-4-1): Çakir; Celik, Soyuncu, Demiral, Meras; Yokuslu; Karaman, Yazici, Tufan, Çalhanoglu; Yilmaz.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore