Film

‘The Last of Us’ na tmerron me idenë e shfarosjes, por e bën njerëzisht


Kush është dashamirës i lojërave kompjuterike, nuk është i panjohur me një videolojë të lëshuar në vitin 2013, e cila përngjit në vetvete zhanret aksion dhe aventurë, me një mesazh apokaliptik brenda.

“The Last of Us” e tillë lindi, si zhvillim i studiove “Naughty Dog” dhe gjigandit japonez Sony, por është kthyer në një fenomen të vërtetë botëror tashmë, kur është adaptuar në ekranin e vogël nga transmtuesi amerikan me pagesë, HBO.

Skenari është tejet i thjeshtë.

Papritur, bota pushtohet nga një pandemi fungale, ku njerëzit infektohet përmes kafshimeve ndaj njëri-tjetrit dhe kthehen në përbindësha të vërtetë, të cilët veçse humanë nuk janë.

Qytete të tëra bombardohen, zona karantine krijohen, por skenari i lënë në botë (ekzaktësisht këtë të sotmen ku po jetojmë), është ai i një toke të shkretuar tërësisht, me pak të mbijetuar dhe me një shpresë për të shpikur një kurë.

Ajo quhet Ellie, është një vajzë adoleshente imune nga kafshimet dhe së bashku me Joel, një prej të mbijetuarve dhe personazh kryesor të gjithë aventurës, duhet të gjejnë mënyrën për të kaluar nëpër qytete amerikane të pushtuara jo vetëm nga përbindëshat që infektimi fungal paraqet, por edhe me njerëz të tjerë, sa të mirë e sa brutalë.

Pra, tmerri i përjetuar, përmes edhe skenave shumë të forta vizuale, të ngjashme me serialin “Walking Dead”, kuptueshëm krijon një ndjesi terrori mbi idenë e shfarosjes globale, duke e arritur krejtësisht klimaksën tek shikuesi në mënyrë tejet organike.

E prapë, nuk është kjo mënyra se si epilepsia identitare ndodh tek personi i tretë, i cili duhet të luajë lojën, apo ndjekë serialin televiziv.

Ajo arrihet përmes ndjenjave dhe emocioneve!

Pak persona do ta kishin besuar përpara fillimit të transmetimeve se kështu do të gozhdohej shikuesi përballë ekranit të vogël.

Ndoshta, vetëm ata, të cilët videolojën e kanë luajtur dhe e dinë me çfarë po përballen.

Por, çdo episod që kalon, The Last of Us sjell një risi në rrafshin e skenarit, dialogut, përcjelljes së njerëzillëkut dhe në fund, edhe krijimit të mjedisit të përshtatshëm pamor për të plotësuar qylymin në tezgjah.

Veçanërisht episodi i tretë dhe ai i pestë, kanë rrokur vëmendje maksimale nga kritikët dhe nga audienca e përgjithshme.

Në të tretin, një çift burrash gay, Bill dhe Frank, njihen rastësisht pas skenarit apokaliptik dhe gjejnë te njëri-tjetri gjithçka i duhet për të përballuar ditët e mbetura në skenarin apokaliptik.

Ndoshta, çast i promovimit të vlerave të komunitetit LGBT, ndër më të arrirët në historinë e kinemasë së vogël, me një raport njerëzor e dashuror aq organik, sa vështirë është të mos kullosh në lot teksa sheh gjithë çfarë ndodh me ta.

Një shpërqëndrim nga “zombit” e rëndom të krijuar prej infeksionit, në një seri ku veçse të tillë nuk ka, por ku përmes ndjeshmërisë dhe shkrimit superlativ të dy karaktereve madhore (të cilët një seri të vetme jetojnë), kuptohet se pse një shfarosje globale, dhemb aq shumë për njerëzit.

Në të pestin, zor se mund të kërkosh më shumë se aq, ku përmasat e skriptit arrijnë maja të larta të “koicidencave” dhe ku thelbi i përgjithshëm është po i njëjti: Në apokalips, nuk ka të mirë e të keq. Ka të mbijetuar e të shkuar!

Ndërsa, për shikuesin, një triumf televiziv, i cili i përmbahet sa argëtimit, aq edhe vënies në punë të një procesi të ndërlikuar mendimesh, me një përfundim të qartë.
E frikshme, është se pa ne, sërish gjithçka vazhdon…

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore