Lajme

The Guardian raporton për lëndimin e trupave të NATO-s në Kosovë


Prestigjiozja britanike “The Guardian” i ka kushtuar një artikull ngjarjeve të fundit në Kosovë, ku protestuesit serbë kanë ushtruar sulme të dhunshme ndaj trupave paqeruajtës të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Siç thuhet në shkrimin e të përditshmesh britanike “rreth 25 ushtarë paqeruajtës të NATO-s që mbronin tri komuna në Veri të Kosovës janë plagosur në përleshjet me protestuesit serbë”, ndërsa edhe tregojnë për urdhrin e dhënë nga presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, për ta vendosur në nivelin më të lartë të gatishmërisë luftarake Ushtrinë Serbe.

Në shkrimin e tyre, tregojnë edhe për reagimin e KFOR-it, ku e ka dënuar dhunën e ushtruar nga protestuesit serbë.

“Ndërsa iu kundërvunë skajeve më aktive të turmës, disa ushtarë të kontingjentit italian dhe hungarez të KFOR-it u bënë subjekt i sulmeve të paprovokuara dhe plagëve të pësuar trauma me thyerje dhe djegie për shkak të shpërthimit të mjeteve ndezëse”, thuhet në deklaratën e KFOR-it.

Ndërsa, nga “The Guardian”, kanë cituar edhe televizionin publik serb (RTS), ku nga informatat e Ministrisë së Mbrojtjes Serbe thoshin se “dy serbë u plagosën në përleshje”.

Aty përmendet edhe reagimi i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ku për situatën e krijuar në Veri e akuzon presidentin serb.

“Strukturat ilegale serbe të kthyera në banda kriminale kanë sulmuar policinë e Kosovës, oficerët e KFOR-it dhe gazetarët. Ata që zbatojnë urdhrat e Vuçiç-it për destabilizimin e Veriut të Kosovës duhet të përballen me drejtësinë”, ka shkruar Osmani në Twitter.

“Situata e tensionuar u zhvillua pasi kryetarët shqiptarë etnikë morën detyrën në zonën me shumicë serbe të Kosovës së veriut pas zgjedhjeve që serbët bojkotuan – një veprim që bëri që SHBA dhe aleatët e saj të qortojnë Prishtinën të premten”, shkruan e përditshmja britanike.

Ndërkaq, në këtë artikull tregohet edhe si erdhi situata deri tek përkeqësimi, ku thuhet se “në Zveçan, një nga qytetet, policia e Kosovës – e përbërë nga shqiptarë etnikë pasi serbët u larguan nga forca vitin e kaluar – spërkatën gaz piper për të zmbrapsur një turmë serbësh që depërtuan përmes një barrikade sigurie dhe u përpoqën të futeshin me forcë në ndërtesën e komunës”.

“Protestuesit serbë në Zveçan hodhën gaz lotsjellës dhe granata trullosëse ndaj ushtarëve të NATO-s. Serbët gjithashtu u përleshën me policinë në Zveçan dhe lyen me spërkatje automjetet e NATO-s me shkronjën “Z”, duke iu referuar një tabele ruse të përdorur në luftën në Ukrainë”.

Po ashtu, shpjegim në artikullin e “The Guardian” ka edhe për situatën e krijuar në një komunë tjetër, atë të Leposaviqit.

“Në Leposaviq, afër kufirit me Serbinë, trupat paqeruajtëse të SHBA-së me pajisje për protesta vendosën tela me gjemba rreth bashkisë për ta mbrojtur atë nga qindra serbë të zemëruar”.

Ndërsa, aty theksohet se “më vonë gjatë ditës, protestuesit hodhën vezë në një makinë të parkuar që i përkiste kryetarit të ri të Leposaviqit”.

“Vuçiç, i cili është komandanti i përgjithshëm i forcave të armatosura serbe, e ka ngritur gatishmërinë luftarake të ushtrisë në nivelin më të lartë, u tha gazetarëve Ministri i Mbrojtjes serbe, Millosh Vuçeviç”.

“Kjo nënkupton që menjëherë para orës 14:00, shefi i shtabit të përgjithshëm të forcave të armatosura serbe lëshoi ​​udhëzime shtesë për vendosjen e njësive të ushtrisë në pozicione specifike, të përcaktuara,” deklaroi Vuçeviç.

Përvec Leposaviqit dhe Zveçanit, përshkrim i situatës i bëhet edhe komunës tjetër, asaj të Zubin Potokut.

“Paqeruajtësit e NATO-s bllokuan gjithashtu bashkinë në Zubin Potok për ta mbrojtur atë nga serbët e zemëruar vendas”.

“The Guardian” japin edhe versionin e nënkryetarit të Listës Serbe, Igor Simiç – parti kjo e dirigjuar nga Beogradi – i cili e akuzon kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për të gjithë situatën e krijuar atje.

“Ne jemi të interesuar për paqen. Shqiptarët që jetojnë këtu janë të interesuar për paqen dhe vetëm ai [Kurti] dëshiron të bëjë kaos”, ka thënë Simiç para gazetarëve në Zveçan.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore