Lajme

“Thaçi dhe të tjerët” – 700 orë për 312 dëshmitarë, trupi gjykues i shqetësuar


Ilustrim

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, gjegjësisht në konferencën përgatitore në rastin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, këtë të mërkurë u bë e ditur se Zyra e Prokurorisë Speciale do të thërrasë 312 dëshmitarë.

Në anën tjetër Trupi Gjykues ka shprehur shqetësimin lidhur me kohën prej 700 orësh për paraqitjen e rastit të Zyrës së Prokurorisë në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve.

Kryetari i trupit gjykues, Charles L Smith II, tha se nga ZPS-ja kanë kërkuar ngushtimin e kohës për paraqitjen e rastit pasi sipas tyre 700 për dëgjimin e dëshmitarëve është kohë e gjatë.

“Kur një dëshmitar thirret nga ZPS-ja për të dhënë dëshmi për zinxhirin strukturor të UÇK-së, do të kërkohet nga ZPS të përgatit tabela dhe materiale vizuele që do të ndihmojnë trupin gjykues dhe palët. ZPS duhet të përgatis hartat dhe materialet e tjera për vendet fizike ku pretendohet se ka ndodhur krimi, këto duhet t’i japë te trupi gjykues dhe palët e tjera më së voni 24 orë para fillimit të dëgjimit të dëshmitarit”, ka thënë gjykatësi.

Në anën tjetër nga Zyra e Prokurorit u tha se deri më tani janë larguar nga lista e dëshmitarëve 12 persona, duke bërë të ditur se do të vazhdojnë me përditësimin e listës së dëshmitarëve dhe do të shohin nëse është e nevojshme të largohen edhe dëshmitarë të tjerë.

“Kemi 188 dëshmitarë të cilët do të dëshmojnë lidhur me krimet, ndërsa për të dëshmuar lidhur me strukturën e UÇK-së kemi 100 dëshmitarë. 37 dëshmitarë do të dëshmojnë për elementet penale derisa për sjelljen e të akuzuarve do të dëshmojnë 68 dëshmitarë”, u tha nga prokuroria.

Për çka po akuzohen Thaçi dhe të tjerët?

Ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit rëndojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Që nga nëntori i vitit 2020 ata gjenden në paraburgim në Hagë dhe janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë ndaj tyre.

Sipas aktakuzës fillestare, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi dyshohen për veprat penale që kanë të bëjnë me krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit 1999.

Krimet pretendohet se janë kryer në disa lokacione të Kosovës dhe në veri të Shqipërisë.

Më 10 maj, Prokuroria e Specializuar ka paraqitur tri kategori ndryshimesh në aktakuzën ndaj Thaçit dhe ish-udhëheqësve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Sipas versionit të ndryshuar të aktakuzës, në fshatrat Budakovë dhe Semetishtë të Suharekës, dyshohet që ndërmjet 4 qershorit 1998 dhe shtatorit 1998, të paktën 12 persona janë ndaluar në qendra ndalimi.

Po ashtu, në aktakuzë thuhet se në fund në fund të qershorit dhe fillim të korrikut të vitit 1999,pjesëtarë të UÇK-së ndaluan “të paktën tre persona pa proces të rregullt ligjor në një seli të UÇK-së, të vendosur në ndërtesën e një ish-shkolle dhe konvikti në Gjilan”.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore