Lojëra

Tencent-i do të bllokojë aksesin e lojtarëve kinezë në lojëra të huaja


Tencent Holdings do të mbyllë një shërbim që ka lejuar lojtarët kinezë të hynin në platformat e huaja për të luajtur lojëra të huaja të pa miratuara.

Masa vjen si një shenjë e përforcimit të pajtueshmërisë teksa rregullatorët kinezë shqyrtojnë më nga afër industrinë.

Firma më e madhe e lojërave në Kinë ka zbuluar po ashtu se do të përditësojë aplikacionet e veta për celularë dhe desktop për rritjen e shpejtësisë së lojërave në versione të reja që do të mbështesin vetëm lojërat që operojnë atje.

Dhe në versionet e reja përdoruesve nuk do t’u lejohet të kenë akses në lojëra të huaja.

Për herë të parë, Tencent-i lançoi aplikacionet në vitin 2018.

Aplikacione të tilla veprojnë si mjete përshpejtimi të rrjetit që ndihmojnë përdoruesit të rrisin shpejtësinë e tyre të internetit.

Në Kinë, ndryshe nga shumica e vendeve, lojtarët lejohen të luajnë vetëm lojëra të miratuara nga qeveria dhe nuk lejohen të luajnë në serverë të huaj.

Teksa lojëra të tilla të huaja nuk janë të bllokuara në mënyrë eksplicite nga frenimet në internet, shpejtësitë lokale të internetit janë përgjithësisht shumë të ngadalta për lojtarët.

Prandaj dhe shumë lojtarë kanë përdorur aplikacione të tilla për të hyrë në lojëra të huaja të pa miratuara.

Gjithashtu aplikacionet gjatë viteve janë bërë kanale të zonës gri për zhvilluesit e huaj të lojërave për të arritur përdoruesit në tregun më të madh të lojërave në botë.

Lidhur me masën e re, ajo është pritur me shqetësim nga lojtarët kinezë, për të cilët nuk ishte befasuese.

Ajo vjen disa ditë pasi Kina hoqi një pezullim nëntë-mujor të licencave të lojërave.

Gjatë kësaj periudhe, kompanitë e lojërave bënë rregullime të mëdha në praktikat e tyre të biznesit për të përmbushur kërkesat rregullatore.

 

Marrë nga “Reuters”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore