Shqipëria

Të vaksinuarit me Sinovac mund të njihen nga Italia


Ilustrim i "Green Pass" në Itali

Situata e të vaksinuarve, ashtu si në gjithë vendet e Bashkimit Evropian, po vlerësohet edhe në Itali, ku lajmet e fundit janë se të vaksinuarit me një nga dozat nga kompanitë farmaceutike, Sinovac, Sinopharm apo Sputnik V, do të kenë mundësi të njihen me anë të certifikatës “Green pass”.

Këto lajme vijnë nga burime pranë Ministrisë së Shëndetësisë në Itali. Arsyeja fillestare e një vendimi të tillë, mund të lidhet drejtpërdrejt me sektorin e punësimit.

Sipas përllogaritjeve nga Qeveria italiane, janë rreth 100 mijë persona, të cilët janë vaksinuar me një nga dozat ende jo të aprovuara nga Agjencia Evropiane e Barnave.

Me ligjin e deritanishëm, këta persona nuk mund të shkojnë të punojnë. Arsyeja është e thjeshtë: Ata nuk mund të pajisen me certifikatën e gjelbër të vaksinimit.

Protestë kundër vaksinimit të detyruar, Itali

Sipas shefit të parandalimit të sëmundjeve infektive në Itali, Gianni Rezza, edhe vende të tjera të BE-së po hartojnë lista të posaçme. Kjo, për përfshirjen e vaksinave – veçanërisht Sinovac e Sinopharm – në skemë. Gjithsesi, autoritetet janë të dyzuara për këtë çështje.

Fakti është se një lajm i tillë, do të ishte shumë favorizues edhe për Shqipërinë. Së bashku me 13 vende të tjera, Tirana zyrtare, nëpërmjet certifikatës së vaksinimit të lëshuar nga Ministria e Shëndetësisë, jep garanci të plotë mbi vërtetësinë e marrjes së dozave nga qytetarët.

Pamje nga procesi i vaksinimit në Shqipëri

Për këtë arsye, janë njohur më parë edhe certifikatat e vaksinimit nga këto vende. Por, ato mund të përdoren vetëm nga shqiptarët e vaksinuar me Pfizer ose AstraZeneca.

Nëse vendimi i evropianëve merr formë të prerë, së shpejti, nga “Green Pass-i”, do të mund të përftojnë edhe ata me dozat nga Sinovac e Sputnik.

Mbi gjysma e të vaksinuarve në Shqipëri, janë pikërisht me këto doza.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore