Lajme

Të paktën 290 trupa civilë janë gjetur në Irpin që nga tërheqja ruse, thotë kryebashkiaku


Trupat e 290 civilëve janë gjetur në qytetin Irpin, jashtë Kievit, që nga tërheqja e forcave ruse. Këtë e ka bërë të ditur të martën kryebashkiaku i Irpin, Oleksandr Markushin.

Në një deklaratë në Facebook, Markushin tha se 185 nga të vdekurit janë identifikuar, shumica e të cilëve ishin burra. Shkaku i vdekjes ishin “plagët me predha dhe armë zjarri”.

Sipas Markushin, të paktën pesë nga të vdekurit kishin pësuar lëndime në tru dhe uria. Pesë banorë u qëlluan për vdekje në oborrin e një pallati të lartë dhe në ambientet e një qendre zhvillimi për fëmijë.

Që prej mëngjesit të 24 shkurtit, bombardimet ruse në Ukrainë nuk janë ndalur.

Pavarësisht rezistencës ukrainase, mijëra njerëz kanë humbur jetën, mes tyre edhe fëmijë – sipas vlerësimeve të para nga OKB-ja, pasi zyrtarë ukrainas kanë deklaruar me dhjetëra mijëra të vrarë – dhe mbi 7 milionë janë larguar nga vendi.

Ndër masakrat më të mëdha përfshihet zbulimi i varreve masive në Bucha – rajon i Kievit – dhe në Mariupol.

Ndërsa forcat ruse kanë rrethuar uzinën e çelikut të Azovstal-it në Mariupol dhe kanë kapur Kherson-in.

Në Ukrainën Jugore, forcat ruse vijojnë bombardimet në drejtim të Odessa-s.

Nga ana tjetër, kundër çdo fakti real, Rusia vazhdimisht mohon se po pushton Ukrainën.

Presidenti rus Vladimir Putin ndërhyrjen në Ukrainë e konsideron si një “operacion special” për çlirimin e rajonit dhe denazifikimin e shtetit lindor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore