Lajme

Situata në Borodyanka më keq se Bucha, teksa Rusia largohet nga veriu i Ukrainës


“Është një situatë shumë më e keqe se sa ajo në Bucha dhe mbi të gjitha, është e paqartë se me sa shumë shkatërrim e humbje jete kemi të bëjmë”.

Ndërsa forcat ruse janë larguar tërësisht nga veriu i Ukrainës, për t’u rigrupuar dhe rifurnizuar në atë çfarë mendohet se do të jetë një agresion i radhës për të marrë lindjen, presidenti Volodymyr Zelensky, ka folur për situatën në qytetet e çliruara nga pushtuesit, ku situata shfaqet edhe më keq se sa ajo në Bucha, ku mbi 400 persona kanë mbetur të vrarë.

Sipas Zelenskyt, ka filluar tashmë heqja e inerteve të mbetura në Borodyanka, një qytezë e vogël në periferi të Kievit. Presidenti ukrainas dhe këshilltarët e tij, duke parë situatën paraprake, mendojnë se skenari në këtë vend është edhe më i errët se sa ai në Bucha.

Dy rrethinat kryeqytetase në fakt, ndodhen vetëm 25 kilometra larg njëra-tjetrës.

Detaje gjithsesi, mbi atë çfarë po dokumentohet aty, nuk janë dhënë ende nga zyrtarët ukrainas.

Megjithatë, Zelensky vetë e ka bërë të qartë se “në terma të shkatërrimit, si infrastrukturor, ashtu edhe humbje jetësh civile, Borodyanka duket të jetë ajo më e shkatërruara”.

Nga ana tjetër, konfirmim mbi largimin e forcave ruse nga veriu i Ukrainës, e ka dhënë edhe Ministria e Mbrojtjes në Britaninë e Madhe, sipas raportit të fundit të tyre.

Në bazë të informacioneve nga inteligjenca britanike, nuk ka më asnjë ushtar rus të mbetur në veri. Të gjithë ata mendohet se po dërgohen drejt lindjes, për të zhvilluar një ofensivë të fundit në rajonin e Donbass-it dhe për ta marrë tërësisht atë.

Gjithsesi, pala ukrainase e ka deklaruar edhe më parë se nuk lëshon pe mbi asnjë centimetër të territorit të saj.

Sa i përket vijimit të negociatave, ato janë sërish në halt dhe nuk ka pasur bisedime konkrete për asnjë çështje madhore armëpushimi.

E vetmja marrëveshje e arritur, është ajo për disa korridore humanitare, të cilat do të ndihmojnë kalimin e civilëve që duan të largohen.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore