Lajme

Të martën nis numërimi i votave me postë për Komunën e Dragashit


Ilustrim

Të martën e 14 dhjetorit, në Qendrën e Numërimit të Rezultateve do të fillojë numërimi i i pakove të supozuara me fletëvotime nga jashtë për Komunën e Dragashit.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, për Albanian Post, ka njoftuar se më 13 dhjetor të këtij viti ka përfunduar afati për pranimin e fletëvotimeve.

Sipas tij, numri i pakove të supozuara me fletëvotime që janë pranuar “është 381”.

“Më 13 dhjetor ka përfunduar afati 15 ditor për pranimin e fletëvotimeve nga jashtë Kosovës për raundin e dytë të Zgjedhjeve për Kryetar të Komunës së Dragashit. Numërimi i fletëvotimeve do të bëhet këtë të martë, në orën 15:00, në QNR”, është shprehur Elezi.

Ilustrim

Ndërkaq, më 25 nëntor, Gjykata Supreme pati vendosur për rivotim të diasporës nga Dragashi.

“Urdhërohet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që brenda Kornizës Ligjore në fuqi të organizojë përsëritjen e Procesit të Votimit nga jashtë, për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale për kryetar të komunës së Dragashit”, thuhej në aktgjykim.

PZAP kishte aprovuar ankesën e kandidatit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), për kryetar të Dragashit, Shaban Shabani.

Pas vendimit të Gjykatës Supreme që votat e ardhura me postë nga jashtë për Komunën e Dragashit të mos njihen, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) deklaroi se ka mirëpritur këtë vendim.

Sipas PDK-së, votat që kanë ardhur me postë kanë qenë të manipuluara.

“Votat që kishin ardhur me postë për Komunën e Dragashit ishin të manipuluara me qëllim të deformimit të rezultatit zgjedhor dhe cenimin e vullnetit të mijëra qytetarëve të Dragashit të cilët më 14 nëntor përmes një procesi fer e demokratik rizgjodhën Shaban Shabanin kryetar për mandatin e ri katërvjeçar”, thuhej në njoftimin e PDK-së.

Në Dragash ishte përmbysur rezultati pas numërimit të votave të ardhura nga diaspora, duke nxjerr fitues kandidatin e Lidhjes Demokratike të Kosovë (LDK), Bexhet Xheladini, i cili kishte marr gjithsej 244 vota, ndërsa kandidati i cili me votat e 14 nëntorit doli fitues, Shaban Shabani nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), nga diaspora kishte arritur të marr vetëm 54 vota.

Kjo ishte bërë e ditur pas përfundimit të numërimit të votave me postë në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale të cilat u mbajtën me 14 nëntor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore