Shqipëria

Të huajt zënë 1% të tregut shqiptar të punës


Pandemia e shkaktuar e ka ulur në një hark kohor një vjeçar numrin e të punësuarve të huaj në Shqipëri. Por, me lehtësimin gradual të masave gjatë fillimit të vitit 2021, ata u shtuan disi.

Sipas një raporti të fundit të publikuar nga Open Data Albania, shtetasit e huaj që bëjnë pjesë në tregun e punës në Shqipëri, përbëjnë 1.23% të totalit.

Në shifra të sakta, nga 696 mijë e 675 punonjës në tërësi, 8 mijë e 573 prej tyre, janë të huaj.

Në krahasim me janarin 2020, ky numër është prej rreth 500 syresh më i ulët. Në 15 muajt e fundit, maji i vitit 2020 – kur shënoi edhe kulmin pandemia – ishte muaji me më pak të huaj të punësuar në Shqipëri.

Ndryshimi midis periudhës me pikun më të lartë dhe atë më të ulët, është prej 461 punonjësish. Pran, në janar 2020 ka pasur 5.1% më shumë punonjës se sa në maj 2020.

Në këto të dhëna, të marrë parasysh janë vetëm personat, të cilët janë regjistruar në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve. Ndërsa, në Shqipëri, ka edhe të tjerë të huaj që e kanë zgjedhur këtë treg pune. Mirëpo, ata e kanë zgjedhur duke punuar si profesionistë të lirë.

Punësimi i të huajve në vend gjithsesi, ka problematikat e veta. Kjo, duke qenë se kërkohet një leje qëndrimi në Shqipëri dhe leje pune më vete.

Ndërkaq, me ligjin e ri të miratuar, por të kthyer në Kuvend, për “Të Huajt”, do të kërkohet vetëm një leje unike qëndrimi dhe punësimi.

Procedurat për punën, priten të lehtësohen edhe me anë të nismës “Open Balkan”. Kjo e fundit, synon të unifikojë tregun e punës në Ballkanin Perëndimor, duke njehsuar dokumentacionin e kërkuar si referenca punësimi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore