Gjykata Speciale

Të enjten nis seanca dëgjimore e dëshmitarit të 17-të kundër ish-krerëve të UÇK-së


Pamja e ekranit

Të enjten pritet të fillojë seanca dëgjimore e dëshmitarit të 17-të në Dhomat e Specializuara në Hagë të Holandës kundër katër ish-eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), pas përfundimit të dëshmisë së dëshmitarit të 16-të, dëshmia e të cilit për tri ditë me radhë është dëgjuar në seancë private.

Dëshmitari 3879 ka filluar dëshminë të hënën nën masa mbrojtëse, ndërsa i njëjti është intervistuar fillimisht nga avokati i viktimave të pretenduara, pastaj nga avokatët e të akuzuarve. Ai ka deklaruar se ishte pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe ka dëshmuar për organizimin e UÇK-së në zonën e Llapushnikut më 1998.

Prokuroria e Specializuar në Hagë ka pasur 8 orë kohë për intervistimin e dëshmitarit të 16-të, mbrojtja e viktimave të pretenduara ka pasur rreth 15 minuta kohë për pyetje ndaj dëshmitarit, ndërkohë që ekipet mbrojtëse të të akuzuarve kanë kërkuar 13 orë kohë për intervistimin e dëshmitarit në fjalë.

Nga 312 dëshmitarë në total, deri më tash janë dëgjuar 15 prej tyre – shqiptarë, serbë, ekspertë ndërkombëtarë, ish-komandantë të UÇK-së e viktima të pretenduara të luftës – kryesisht në seanca të mbyllura për publikun, ndërsa këtë të hënë ka filluar dëgjimi i dëshmitarit të 16-të.

Seancë do të ketë edhe të edhe javën tjetër, përkatësisht më 21, 22, 23, 24 dhe 25 gusht. Seancat e fundit gjyqësore ndaj ish-eprorëve të UÇK-së do të mbahen me 28, 29 dhe 30 gusht, duke e çuar në 11 numrin e përgjithshëm të seancave gjyqësore vetëm gjatë këtij muaji.

Të gjithë dëshmitarët janë dëgjuar në seanca private ose me zë të deformuar, përveç dëshmisë së ish-komandantit të Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa dhe dëshmisë së Francis Ladwidge, oficer i shërbimeve të inteligjencës së Britanisë së Madhe, që gjatë luftës kishte shërbyer në Kosovë.

Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, nisi më 3 prill të këtij viti, pas më shumë se dy vjet nga konfirmimi i aktakuzës. Dhomat e Specializuara kanë shpalosur aktakuzën kundër katër ish-drejtuesve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, që nga Zyra e Prokurorit të Specializuar është barazvlerësuar me “ndërmarrje të përbashkët kriminale”.

Procesi gjyqësor i nisur në fillim të prillit ka prapa vetes dy vjet e gjysmë zvarritje e shkelje – i cili është kritikuar sidomos për tentim të shmangies nga baza juridike e funksionimit të saj, për fshehje të provave shfajësuese, për redaktime të shumta dhe për bashkëpunim me Serbinë.

Të katër ish-udhëheqësit e UÇK-së akuzohen për krime të pretenduara lufte dhe krime kundër njerëzimit, ndërsa gjenden në qendrën e paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Që të gjithë, në nisje të gjykimit sërish janë deklaruar të pafajshëm për të dhjetë pikat e aktakuzës.

UÇK-ja është cilësuar guerilja më e suksesshme në shekullin e kaluar, duke marrë parasysh se ajo arriti të realizojë projektin e shtetit të pavarur të Kosovës, porse me nisjen e gjyqit në Hagë, lufta e saj tash rrezikon të delegjitimohet dhe të ndryshojë përgjithmonë perceptimi publik për luftën çlirimtare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore