Lajme

Të dielën Mali i Zi zgjedh presidentin – Çfarë premtuan dhe kush i mbështeti kandidatët?


Ilustrim

Mali Zi të dielën e 2 prillit do të mbajë raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale.

Gara do të zhvillohet ndërmjet dy kandidatëve të cilët në raundin e parë që u zhvillua me 19 mars morën besimin më të madh të qytetarëve malazez.

Presidenti aktual, Milo Gjukanoviç, nga Partia Demokratike e Socialistëve fitoi 35,4 përqind të votave, ndërsa Jakov Milatoviç nga Lëvizja Evropa Tani mori 28,9 përqind.

Për dy javë fushatë, kandidatët përdorën retorikë më të ashpër ndaj njëri tjetrit.

Kandidatët patën mbështetje nga intelektualë e parti vendase.

Mbështetja ndaj tyre erdhi edhe nga rajoni.

Kisha Ortodokse Serbe në Mal të Zi mbështeti hapur Jakov Milatoviç’in, ndërsa me ftesë të Gjukanoviç’it një pjesë e diasporës mbërriti në Mal të Zi për të votuar në zgjedhje.

Të drejtë vote në zgjedhjet e 2 prillit kanë 542 mijë e 154 zgjedhës.

Çfarë i thanë kandidatët njëri-tjetrit?

Gjukanoviç gjatë fushatës zotohej që Mali i Zi do të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian gjatë mandatit të tij.  Synimi i tij është ndryshimi i “kolapsit social, ekonomik dhe institucional” dyvjeçar e gjysmë, siç tha ai, që “do ta çojë shtetin në falimentim deri në fund të vitit”.

Partia e tij Demokratike e Socialistëve humbi pushtetin në vitin 2020, pas tridhjetë vitesh qeverisje.

Partitë kryesisht pro-serbe, të udhëhequra nga Fronti Demokratik pro-Rus, Demokratët dhe lëvizja URA që fituan ato zgjedhje, mbështesin Milatoviç’in.

Ndërsa, Gjukanoviç vlerëson se kundërkandidati i tij është përfaqësues i politikës së nacionalizmit serbomadh.

E, këtë ai e argumentonte me mbështetjen e hapur që i dënuari për krime lufte nga Gjykata e Hagës, Vojisllav Sheshel, ia jepte Milatoviç’it.

“Ne nuk do të supozojmë se Duka Sheshel mbështeti një kandidat pro-evropian dhe pro-NATO-s për president, por atë që ai beson se mund t’i bashkohet botës serbe.”

Përveç, kësaj Gjukanoviç kujton faktin se Milatoviç ishte ministër në qeverinë e Zdravko Krivokapiç’it, qeveri pro serbe.

Milatoviçi është pjesë e padiskutueshme e shumicës parlamentare, kleriko-nacionaliste të themeluar në vitin 2020, e cila i formoi qeveritë e saj në ndërtesa fetar.

Në anën tjetër, Milatoviç akuzonte Gjukanoviç’in për keqqeverisje të Malit të Zi për gjatë këtyre 30 viteve të qeverisjes së tij. Ndër të tjera ai e konsideroi presidentin aktual si diktator dhe që politikat e tij kanë detyruar shumë qytetarë malazez të largohen nga vendi.

“Për 30 vjet ai njeri na kthen në disa botë dhe vazhdimisht krijon përçarje, fillimisht i dëboi boshnjakët nga vendi, pastaj radha të diskriminojë liberalët, pastaj shqiptarët dhe në fund serbët”, ka thënë Milatoviç.

Po ashtu, ai akuzoi Gjukanoviç’in për derdhje të burimeve sociale në llogari private dhe për korrupsion.

“Socialen e ka kthyer në private. Ka futur gjëra anormale. Nuk është normale të vjedhësh, nuk është normale të gënjesh, të shkatërrosh hotele dhe kompani, të blesh diploma false”.

Ai tha gjithashtu se “epoka e errët ka kaluar, koha e përparimit po vjen”.

Tutje, Milatoviç premtoi se “do ta sjellë Malin e Zi në Bashkimin Evropian”.

Kush i mbështeti?

Në mbështetje të Gjukanoviç’it janë Socialdemokratët, Partia Boshnjake, Partia Liberale, si dhe dy partitë shqiptare, Bashkimi Demokratik i Shqiptarëve dhe Partia Demokratike.

Nga rajoni, ai mori mbështetje nga anëtarët e Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, Denis Beqiroviç dhe Zheljko Komshiç, dhe nga Shoqata e Nënës Srebrenicë.

Në një intervistë për televizionin Klan Kosova, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vlerësuar se nga aspekti ndërkombëtar, këto zgjedhje janë shqetësuese.

“Nëse fiton kundërshtari i presidentit aktual, do të hapet rruga për zhdukjen e kombit malazez”, tha Kurti dhe shtoi se “fitorja e kandidatit pro serb, prorus do të inkurajojë Kremlinin, sepse është lloji i fitores që i duhet Rusisë dhe Serbisë në rajon”.

Një numër intelektualësh dhe figurash publike nga Mali i Zi dhe rajoni e mbështetën gjithashtu Gjukanoviç’in.

Nga ana tjetër, në mbështetje të Milatoviç’it kanë dalur paritë që janë në pushtet në Mal të Zi, Fronti Demokratik pro serb dhe pro rus, Demokratët, Lëvizja URA e Dritan Abazoviç’it dhe Partia Popullore Serbe.

Tre kandidatët presidencialë nga raundi i parë zgjedhor që i përkasin korpusit të këtyre partive, përfshirë liderin e FD Andrija Mandiç, i kanë bërë thirrje mbështetësve të tyre që në raundin e dytë të votojnë për Milatoviç’in.

Dhe Kisha Ortodokse Serbe në Mal të Zi u rreshtua me të, duke i bërë thirrje besimtarëve të mos votojnë për Gjukanoviç’in, i cili, siç thanë ata, “fut trazira dhe ankth mes klerit dhe besimtarëve”.

“Ne jemi të bindur se një politikë e tillë tashmë është tejkaluar, të cilën qytetarët do ta konfirmojnë në zgjedhjet e ardhshme”, thuhet në njoftimin e kishës serbe në Mal të Zi.

Edhe nga Serbia, Milatoviç mori mbështetjen e liderit të Partisë Radikale Serbe, të dënuar për krime lufte, Vojislav Sheshel, dhe po ashtu në mbështetje të tij doli edhe presidenti ultra-nacionalist i Republikës Srpska – entitetit serb në Bosnje e Hercegovinë, Millorad Dodik.

“Mendoj se është keq për popullin serb nëse fiton Milo Gjukanoviç”, tha Dodik.

Ndryshe, heshtja zgjedhore ka filluar të premten e 31 marsit në mesnatë dhe zgjat deri në mbylljen e qendrave të votimit të dielën e 2 prillit në orën 20:00.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore