Lajme

Tahiri për situatën në Veri: Vuçiç ka synim Trepçën dhe Ujmanin


Ish-kryenegociatorja e Kosovës në dialogun me Serbinë në Bruksel, Edita Tahiri

Ish-kryenegociatorja e Kosovës në dialogun me Serbinë në Bruksel, Edita Tahiri për krijimin e situatës aktuale në Veri konsideron që synimi kryesor i Serbisë është marrja e pasurive, “stategjike dhe gjeopolitike” të Kosovës.

Tahiri, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’ ka thënë se këtë e dinë edhe nga vetë përvoja e saj gjatë kohës kur ishte kryenegociatore.

“Dhuna në Veri nga Vuçiç dhe njerëzit e tij kriminel ka për synim Trepçën dhe Ujmanin, skenari i tij është që Asociacioni të ketë kompetenca ekzekutive mbi pasuritë minerale dhe ujin në Veri”.

Sipas saj, vazhdimisht ka pasur tendenca ndaj Ujmanit dhe Trepçës.

“Gjatë shtatë viteve të negociatave në Bruksel kur isha kryenegociatore Serbia, ka shfaqur vazhdimisht tendenca ndaj këtyre pasurive strategjike dhe gjeopolitike të Kosovës, por nuk i kam lënë ta hapin gojën”, ka shkruar ajo.

Të hënën e 30 majit, misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR, ndërhyri për shpërndarjen e protestuesve në Zveçan, pasi paraprakisht i paralajmëroi protestuesit që të shpërndahen, por ata nuk u bindën.

Në një video që ishte publikuar në mediat serbe janë parë protestuesit teksa përleshen më ushtarët e KFOR-it.

Situata të hënën në Veri.

Ndërsa një pjesë e madhe e protestuesve serbë janë shpërndarë pas ndërhyrjes së KFOR-it, derisa kordoni i paqeruajtësve të KFOR-it, të pajisur për situata krize, ka vazhduar të mbetet para ndërtesës së komunës.

Po ashtu KFOR-i, bëri të ditur se ka shtuar praninë në katër komunat veriore pas zhvillimeve atje ku serbët kanë tentuar të hyjnë dhunshëm në objektet komunale.

Përmes një komunikate për media KFOR-i, ka kërkuar nga palët që të mos nxisin tensione dhe të mos përshkallëzojnë situatën.

“Mëngjesin e sotëm, misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO ka shtuar praninë e tij në katër komunat e veriut të Kosovës, pas zhvillimeve të fundit në zonë”.

“Qëllimi i pranisë së KFOR-it është të sigurojë një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë, në përputhje me mandatin e tij nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999″, kishte shkruar KFOR-i të hënën.

Ndryshe, 41 pjesëtarë të KFOR-it janë lënduar nga protestuesit serbë në Zveçan, derisa po ndalonin turmën të futej në zyrat e objektit komunal.

Nga pamjet që vijnë nga Zveçani ishte parë një numër i ushtarëve të shtrirë në tokë, pas lëndimeve të marra.

Ambasadorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës e Britanisë së Madhe kanë kërkuar që të ndalet menjëherë dhuna ndaj pjesëtarëve të KFOR-it.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore