Lajme

Tahiri për emërimin e Vitisë: Kjo pritje tremuajshe ia paska vlejtur për mafinë e shëndetësisë


Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka reaguar ndaj riemërimit të Arben Vitisë në pozitën e ministrit të Shëndetësisë.

Tahiri, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, ka thënë se për një kohë nuk do të ketë ditë të mira shëndetësinë.

“Ditë të mira për shëndetësinë siç duket, nuk do të ketë edhe për një kohë. A për mafinë e shëndetësisë, me gjasë ky durim prej tre muajsh ia paska vlejtur”, ka shkruar Tahiri.

Ai ka thënë se Vitia në pozitën e ministrit të Shëndetësisë do të mbahet mend vetëm për një punë.

“Pas afër tre muaj pritjesh për të reflektuar përballë degradimit të shëndetësisë, degradim që u manifestua edhe tragjikisht, kryeministri Kurti paska vendosur që ta rikthejë në krye të shëndetësisë një ish ministër, i cili, mbahet mend veç për një gjë: strehimin pas videove me mesazhe durimi, kur pandemia rrezikonte jetën e qytetarëve”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka emëruar sërish ministër të Shëndetësisë, Arben Vitinë.

Lajmi është bërë i ditur përmes një komunikate nga Zyra e Kryeministrit.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot ka emëruar Arben Vitia, Ministër për Shëndetësi, të cilit i ka uruar suksese në plotësimin e detyrave dhe përgjegjësive të tij”, thuhet në komunikatë.

Kosova, tash e 79 ditë ka qenë pa ministër të Shëndetësisë, U.D e kësaj pozite ishte Dafina Gexha-Bunjaku.

Për herë të parë Vitia ishte emëruar ministër i Shëndetësisë, më 22 mars në Qeverinë Kurti.

Por, me 1 tetor të vitit 2021 kishte dhënë dorëheqje për t’u fokusuar në garën për Prishtinën.

Pavarësisht deklarimeve të tij se kishe planifikuar që të qëndrojë në këtë post deri kur në Kosovë të ketë rezultate të mira në përballjen me pandeminë, nuk rezultoi të jetë ashtu.

Që kur Vitia kishte shpallur kandidaturën e tij për kryetar të Prishtinës, ishte kritikuar nga qytetarët dhe shoqëria civile, përkundër se ligjërisht kandidimi i tij për kryetar nuk ka pasur ndonjë pengesë.

Arben Vitia ishte favorit absolut në zgjedhjet e fundit komunale për kryetar të Prishtinës, por i humbi zgjedhjet nga kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Përparim Rama.

Vitia vinte nga një fitore masive që kishte arritur në zgjedhjet parlamentare, ku kishte marrë mbi 100 mijë vota.

Në zgjedhjet e 14 shkurtit Vitia pati marrë 107 mijë e 813 vota, duke e bërë një nga më të votuarit në Kosovë.

Mirëpo, në garë me Përparim Ramën e LDK-së më pas, në raundin e balotazhit, ai mori vetëm 38 mijë e 958 vota, apo 48.93 për qind.

Sa herë që ky post lihej pa udhëheqës, opozita thoshte se “Qeveria është duke i ruajtur vendin Arben Vitisë”.

Kryeministri Kurti, ishte i bindur për suksesin e Vitisë në këtë ministri, prandaj ishte e paqartë dorëheqja e tij.

Në disa pyetje për të cilat kërkohej përgjigje për situatën në shëndetësi ishte e vështirë të merrej përgjigje nga Vitia, pasi ai nuk fliste kurrë, përveç në komunikata për shtyp, në të cilat lexonte të dhëna nga letra që mban në duar.

Ky informim nuk ishte i mjaftueshëm për qytetarët e Kosovës.

Kosova vazhdon të jetë një nga vendet me problemet më të mëdha shëndetësore.

Pas Vitisë, në këtë pozitë ishte emëruar ministër i Shëndetësisë, Rifat Latifi , i cili pas 11 muajve dha dorëheqje nga kjo pozitë pas kritikave të shumta ndaj tij në menaxhimin e shëndetësisë.

Në Kosovë nuk ka sigurime shëndetësore. Në Kosovë ka mungesë të barërave esenciale. Nga Kosova largohen vazhdimisht mjekë të rinj për në Gjermani e vende të tjera në pamundësi për të gjetur punë në vend, përkundër se ka mungesë mjekësh. Në Kosovë nuk bëhen shumica e operacioneve, dhe rastet e komplikuara shkojnë në vende të tjera si Turqia.

Në Kosovë mjek e infermierë vazhdimisht janë në protesta për kushte më të mira e rritje pagash.

Kurti emëron sërish Arben Vitinë ministër të Shëndetësisë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore