Lideri nacionalist maqedonas i VMRO-DPMNE-së, Hristjan Mickoski, pas takimit që ka pasur me liderët e koalicionit shqiptar “VLEN” në zyrën qendrore të këtyre të fundit në sheshin “Skënderbe” në Shkup, ka thënë se kanë rënë dakord për parimet e përgjithshme të qeverisjes së përbashkët.
Këto komente, Mickoski i ka bërë përmes një postimi në Facebook, derisa ka bërë të ditur edhe tre objektivat kryesorë që do të fokusohet qeveria e ardhshme e Maqedonisë së Veriut, që do të drejtohet nga ai.
“Janë rënë dakord për parimet e përgjithshme të bashkëpunimit për qeverinë e ardhshme, të cilat do të bazohen në tre postulate: integrimi evropian, zhvillimi i përshpejtuar ekonomik, lufta kundër krimit dhe korrupsionit dhe sundimi i ligjit”, shkroi Mickoski.
Kreu i VMRO-DPMNE-së njoftoi se të dyja palët do të formojnë grupe punuese, “në të cilin nivel do të vazhdojnë bisedimet deri në finalizimin e tyre”.
Nga ana tjetër, Bashkim Bakiu nga “VLEN”, pas përfundimit të takimit ka thënë se negociatat po shkojnë në drejtimin e duhur.
“Negociata shkojnë në drejtim të duhur dhe më vonë do të informoheni me komunikatë për detaje. Nga e hëna fillojnë të formohen edhe grupet për të realizuar negociatat”, tha Bakiu.
Ndryshe, Mickoski dhe partia e tij janë fitues të zgjedhjeve parlamentare të 8 majit në Maqedoni të Veriut. Ata kanë marrë 58 deputetët nga 120 sa i ka gjithsejtë parlamenti.
Por, Mickoski për krijimin e qeverisë është duke anashkaluar fituesin në taborin shqiptar “Frontin Evropian”, të cilët kanë marrë 19 deputetë, 6 më shumë se “VLEN”.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com