Lajme

A e njihni ilaçin Arben Vitia, për të cilin flet Albin Kurti?


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ish-ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia

Në një tekst të gjatë, shumë të gjatë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për një ministër të mrekullueshëm të shëndetësisë, i cili sipas Kurtit e ka menaxhuar pandeminë si pak kush në botë, ka rikthyer besimin në institucionet e Kosovës dhe ka siguruar vaksina si askush tjetër.

Kosova vazhdon të jetë një nga vendet me problemet më të mëdha shëndetësore. Në Kosovë nuk ka sigurime shëndetësore. Në Kosovë ka mungesë të barërave esenciale. Nga Kosova largohen vazhdimisht mjekë të rinj për në Gjermani e vende të tjera në pamundësi për të gjetur punë në vend, përkundër se ka mungesë mjekësh. Në Kosovë nuk bëhen shumica e operacioneve, dhe rastet e komplikuara shkojnë në vende të tjera si Turqia. Në Kosovë mjek e infermierë vazhdimisht janë në protesta për kushte më të mira e rritje pagash.

Por, Albin Kurti thotë se një ministër i quajtur Arben Vitia ka kthyer besimin në institucione. Matjen e kthimit të besimit e ka bërë vetë kryeministri, metodën e matjes e ka zgjedhur vetë dhe vetë po ashtu i jep rezultatet me një shkrim në Facebook.

Lëvdatat kryesore për ministrin, Kurti i ka pasur për menaxhimin e pandemisë që e ka bërë Vitia.

Përkundër se Kosova është vendi i fundit në rajon që ka siguruar vaksina, Kurti pikërisht këtu e lavdëron Vitinë.

“Vitia përmbushi dy ndërmarrje kapitale për nga rëndësia: kontraktimi në numër të madh i vaksinës, domosdoshmërisht me cilësinë më të sigurt”, thotë ai, derisa lëvdata ka edhe për “organizimin sa më i shpejtë dhe të sigurt të procesit kombëtar të vaksinimit”.

Të gjithëve iu kujtohen fotografitë e rrëmujshme para dyerve të qendrave të vaksinimeve, grumbullimi dhe mos respektimi i masave.

Gjithashtu, jo shumë larg nga ky status lëvdatash, është koha kur në portalin qeveritar për vaksinimin, në vazhdimësi thuhej se “nuk ka afate në dispozicion”.

Kurti shkruan edhe se “Vitia ka arritur të menaxhojë dhe kontrollojë tri variantet e virusit Corona”, por vetëm pak ditë më parë numri i vdekjeve nga COVID-19 shënonte rekorde çdo ditë.

Kosova radhitej si një nga vendet me vdekshmërinë më të lartë për kokë banori si shkak i pandemisë.

“Asnjëherë ky njeri i yni nuk jep informacion, nuk bën vlerësim dhe nuk merr vendim pa qenë i bindur në saktësinë e të dhënave dhe shterimin maksimal të burimeve”, është një nga fjalitë e Kurtit për Vitinë.

Ai është i saktë vetëm në pjesën e parë të fjalisë.

E vërtetë. Vitia pothuajse asnjëherë nuk ka dhënë informacione, prandaj kishte një paqartësi të madhe te njerëzit, si ajo e detyrimit për të hedhur në koshin e plehrave mbi 100 mijë vaksina, për të cilat kurrë s’u kuptua pse u bën mall për shportë mbeturinash.

Gjithësesi, nëse Kurti është aq i bindur për suksesin e këtij ministri, përse dha dorëheqje ai?

Si është e mundur që Kosovës i erdhi rasti të ketë një ministër kaq të jashtëzakonshëm të shëndetësisë, dhe të mos i shfrytëzojë këto aftësi të tij për ta rregulluar shëndetësinë e dërrmuar të Kosovës?

Përse vetë Vitia pranoi të largohej, që të – siç dihet – kandidojë në zgjedhjet lokale për kryetar të Prishtinës?

Këto pyetje është vështirë të marrin përgjigje nga Vitia. Ai nuk flet kurrë, përveç në komunikata për shtyp, në të cilat lexon të dhëna nga letra që mban në duar.

Ai nuk merr pjesë as në emisione. Askush nuk e di cili është plani i Vitisë për Prishtinën. Ai s’ka bërë fushatë, s’ka bërë asnjë premtim, s’ka thënë asnjë fjalë.

Por, s’ka nevojë që ta bëjë, pasi kryetari i partisë dhe kryeministri, e konsideron si “shok, që ka dhënë për Lëvizjen kontributet më të çmuara”.

Kaq mjafton për Kurtin, por nuk do të duhej të mjaftonte për qytetarët e Kosovës.

Siç shkruante Albanian Post në një editorial për Vitinë, por, askush nuk do të duhej ta meritonte besimin qytetar me veç heshtjen e tij dhe përmes heshtjes të krijohej iluzioni për madhështinë e tij, sepse më pas do ta bënte vetë të heshturin deluziv.

Nuk duhet të kalohet në heshtje heshtja. Pasi dikush që heshtë kur duhet të flas është asgjë më shumë sesa një tru i rrënuar, i etur për të besuar se ato që thuhen për të, përbëjnë ekzistencën e tij të vërtetë, duke mos e kuptuar se janë copëza të pavërteta për ta krijuar një rrëfim triumfues.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore