Lajme

Misioni Rifat, dështoi me sukses


Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi.

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi pas 11 muajve ka dhënë dorëheqje nga kabineti qeveritar.

Largimi i Latifit vjen pas kritikave të shumta ndaj tij në menaxhimin e shëndetësisë.

Latifi është ministri i dytë i larguar nga kjo pozitë gjatë kësaj qeverisje. Para tij ishte Arben Vitia i cili kishte dhënë dorëheqje për t’u fokusuar në garën për kryetar të Komunës së Prishtinës.

Në letrën e publikuar të dorëheqjes nga Latifi, është thënë se për këtë vendim ai kishte menduar tash e disa muaj.

“Me zhgënjim të thellë dhe keqardhje pas shumë reflektimesh për disa muajt e fundit, po ju informoj se në mënyrë efektive ju ofroj dorëheqjen time nga posti i ministrit të Shëndetësisë së Republikës së Kosovës, që nga sot me datën 6 tetor 2022”, është shkruar në letrën e publikuar të dorëheqjes nga Latifi.

“Bashkangjitur me këtë letër, gjeni një përmbledhje të shkurtër të të gjeturave, sfidave të ballafaquara si dhe të arriturat në këta 10 muaj të mi si ministër”, ka përfunduar ai.

Institucionet e Kosovës, akoma nuk kanë publikuar një deklaratë zyrtare për largimin e ministrit nga kjo pozitë.

Lidhur me këtë çështje as ministri Latifi, akoma nuk është deklaruar.

Si erdhi Latifi në Kosovë?

Më 16 nëntor 2021, kryeministri Albin Kurti, kishte dalë vetë i dyti në konferencë për media. Në krahun e majtë të tij ishte një burrë, përgjithësisht i panjohur për gazetarët e pranishëm.

Sapo mori fjalën, kryeministri sqaroi se zotërinë, që gazetarët kishin përballë, e kishte emëruar ministër të Shëndetësisë. Vendimin e kishte nënshkruar pak para se të dilnin në konferencë.

Për disa minuta ai ravijëzoi rrugëtimin akademik të njeriut të cilit ia kishte besuar shëndetësinë kosovare. Por, për 41 minuta, sa zgjati konferenca, foli për pothuaj gjithçka tjetër, përveç problemeve të shëndetësisë dhe planeve eventuale për t’i zgjidhur ato.

Ministri i sapoemëruar, ndërkaq, në fokus kishte “mbajtjen dhe kthimin e trurit” në Kosovë.

“Vetëm fakti se unë kam ardhur këtu, prej një rehatie amerikane, prej një pune shumë të mirë, është sinjal i fuqishëm besoj, që edhe të tjerët të na bashkohen në këtë kthim në Kosovë”, kishte thënë Latifi, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetares së Euronews Serbia, nëse ai si ministër i sapoemëruar kishte ndonjë strategji për ta parandaluar ikjen e doktorëve nga Kosova.

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi.

That didn’t age well’, thonë në truallin prej nga erdhi ministri Latifi, kur realiteti i të sotmes është krejt i ndryshëm nga ajo që është thënë dje. Kjo shprehje e përmbledh në tërësi shpërputhjen e madhe midis deklaratës së ministrit dhe të vërtetës. Një ditë pa u bërë 100 ditë nga ajo konferencë, kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu njoftoi se vetëm gjatë dy muajve të parë të 2022-ës nga Kosova janë larguar 41 mjekë: një specialist, 19 specializantë dhe 21 mjekë të përgjithshëm.

“Vitin e kaluar kanë qenë rreth 210 mjekë që kanë ikur nga Kosova”, nënvizoi Sejdiu, pa e përkthyer në një shifër tjetër shqetësuese: 4% e mjekëve e kanë lënë Kosovën brenda vetëm një viti. Por, paralajmërimi i tij ishte akoma më alarmues. “Nëse nuk merren masa do të rritet ikja dhe këtë vit 300 mjekë do të largohen”. Pra, edhe mbi 5% e mjekëve do të largohen sivjet, sipas doktor Sejdiut, i cili thekson se 108 mjekë veçse janë larguar në gjashtë muajt e parë të 2022-ës.

Nuk po ikin vetëm mjekët. Edhe infermierët po e lënë Kosovën. Sipas Sindikatës së Infermierëve të Kosovës, 400 infermierë janë larguar gjatë vitit 2021 dhe 900 të tjerë pritet të largohen sivjet.

Ministri Latifi, në konferencën e tij të parë, pas emërimit si njeriu përgjegjës për shëndetësinë kosovare, kishte deklaruar se akoma ishte duke e konceptuar dhe në atë moment nuk kishte strategji se si do ta zgjidhte këtë problem, me të cilin përballet shoqëria kosovare.

Ikja e mjekëve është një prej shqetësimeve, të mëdha, qytetare të këtij viti, veçanërisht.

Për listat e gjata të pritjes në të gjitha klinikat e ShSKUK-së është diskutuar edhe në Komisionin Parlamentar për Shëndetësi. Mirëpo, në atë kohë kur deputetët opozitarë kërkonin që të ndërmerren masa, listat e pritjes për procedura diagnostike shkonin deri në tetë muaj. Tani kohëzgjatja e pritjes është rritur për 50 përqind.

Përveç ShSKUK-së, minsitri Latifi ka dështuar të menaxhojë edhe me procese tjera, si Fondi për Sigurime Shëndetësore, bordi i të cilit ka qenë jofunksional për më shumë se një vit dhe është emëruar vetëm në javën e parë të muajit korrik të këtij viti. Në krye të këtij bordi është vënë zëvendësministrja Dafina Gexha-Bunjaku.

Megjithëse funksional vetëm pjesërisht, fondi ka mbi 40 të punësuar, të cilët i kryejnë punët që i kanë kryer më parë dy zyrtarë të MSh-së. Puna ka ngecur, po ashtu, në ndryshimin e ligjeve që e rregullojnë këtë organizëm dhe vet shëndetësinë në përgjithësi.

Gjithashtu, mos-qëndrimi në kohë të plotë në Kosovë, ka bërë shumë kë të pyes nëse ai është i dedikuar mjaftueshëm në punën e ministrit meqë ndanë jetën mes Kosovës e Amerikës.

Latifi në anën tjetër i ka siguruar të gjithë se varësisht ku gjendet fizikisht ai punën e bën njëjtë.

“Takimet i bëj edhe online”, pati deklaruar.

Për t’u kthyer edhe njëherë tek konferenca e parë, në të cilën Rifat Latifi ishte prezantuar si ministër i Shëndetësisë dhe në të cilën kishte premtuar “ngritjen e standardeve mjekësore” si dhe “kthimin e trurit të larguar tash e 20 vjet nga Kosova” me qëllim që “të parandalohet largimi i pacientëve tanë për në vendet në rajon dhe kështu këtë investim shtetëror dhe individual në spitalet e huaja i kthejmë në shtëpinë tonë dhe modernizojmë spitalet tona”, mund të thuhet, pa frikë, se Rifat Latifi jo vetëm që nuk ka arritur as në stacionin e parë, por nuk është duke vendnumëruar në rrugën e gabuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore