Lajme

Sveçla: U legjitimua lufta jonë ndaj grupeve kriminale e krimit të organizuar


Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla

Për Ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçlën, pas sanksionimit nga SHBA-ja i grupeve të krimit të organizuar në veri, me në krye Zvonko Veselinoviç e Milan Radojçiç, “është legjitimuar lufta jonë ndaj grupeve kriminale e krimit të organizuar, specifikisht në veri, ku struktura të caktuara kanë rezistuar saherë kanë qenë cak i shkatërrimit”.

“Mirëpres sanksionin e ShBA-ve ndaj grupit kriminal me fushëveprim në Serbi dhe në Kosovë dhe ritheksoj se mbesim të pakompromis në luftimin e krimit, kontrabandës e korrupsionit që cënojnë rendin dhe sigurinë kudo në Kosovë”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

“Nga aksioni i fundit i Policisë së Kosovës në 4 rajone të Kosovës me qëllim të goditjes së kontrabandës, në veri të Kosovës kishte rezistencë ndaj këtij aksioni me ç’rast mbetën të lënduar disa zyrtar policor e dëme të mëdha materiale”.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndërmarrë sanksione kundër grupeve të organizuara kriminale, kështu duke përfshirë edhe grupin organizuar kriminal të Zvonki Veselinoviç, i cili është një nga figurat më të korruptuara që vepron në Veriun e Kosovës.

Zvonko Veselinoviç e Milan Radojçiç

Në njoftimin e Departamentit Amerikan i Thesarit për Kontrollin e Pasurive të Huaja thuhet se Zvonko Veselinoviç si lider i Grupit të Organizuar Kriminal, është një nga figurat më të korruptuara dhe famëkeqe të Kosovës.

“Veselinoviç është e përfshirë në skemë të gjerë të ryshfetit me zyrtarë kosovarë dhe serbë të sigurisë të cilët e lehtësojnë trafikimin e paligjshëm të mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve mes Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në njoftimin e Departamentit.

Përveç tij në listë janë edhe i vëllai Zharko Veselinoviç, pastaj Zhelko Bojiç, Milan Mihajloviç, Sinisha Nedeljkoviç, Radovan Radiç, Milan Radisavleviç, Milojko Radisavleviç, Milan Radojçiç, Marko Rosiç, Radule Steviç, Milivoje Vuloviç.

Grupi akuzohet pos tjerash për marrëveshje me politikanët për të ndihmuar fitoren e tyre në zgjedhje dhe mbështetjen financiare për ta.

Në këmbim, politikanët do t’u jepnin vëllezërve kontratat më të mira të infrastrukturës dhe kontrollin e zonave të caktuara për bizneset e tyre.

“Veselinoviç dhe grupi i tij u paditën për përfshirjen e tyre të dyshuar në vrasjen e liderit politikë serb në Kosovë, Oliver Ivanoviç në janar të vitit 2018. Veselinovic dhe anëtarët e tjerë të tjerë të grupit, Milan Rajko Radojçiç, Zeljko Bojiç dhe Marko Rosiç, të gjithë u përmendën në aktakuzë për vrasjen, secili duke shërbyer rolin e tij në atentatin për ndërmarrjen kriminale”, vazhdon njoftimi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore