Kosova

Sveçla: Jemi në koordinim me aleatët ndërkombëtarë por gjithmonë detyrat tona duhet të kryhen të plota


Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla

Për operacionin e së premtes dhe kritikat se Qeveria nuk ka qenë e koordinuar me aleatët ndërkombëtarë, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se janë në “koordinim të vazhdueshëm”.

Ministri në një lidhje direkt në RTV Dukagjini ka deklaruar se qëllimet e tyre dhe detyrat duhet të përfundohen të plota.

“Njësitet e Policisë së Kosovës apo komandantet në terren kanë koordinim të vazhdueshëm me komandantët e KFOR-it të njësive të ndryshme të KFOR-it. Unë po ashtu kam kontakte të vazhdueshme, bashkëbisedojmë me aleatët tonë në mënyrë që të gjejmë mënyrën më të lehtë me sa më pak pasoja”.

“Gjithmonë me qëllimin që detyrat tona t’i kryejmë në plotëni”.

Sveçla për emrat e organizatorëve të trazirave në Veri: Po punojmë jo vetëm në identifikim e tyre, por edhe për shkallën e fajësisë dhe lokacionin e tyre

Përveç kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka bërë të ditur se edhe Policia e Kosovës dhe Agjencia e Inteligjencës është në dijeni për emrat e organizatorëve të trazirave në Veri.

Ai tutje ka sqaruar se janë duke punuar për shkallën e fajësisë së këtyre veprave.

“Po, patjetër shumica prej organizatorëve, por edhe dhunuesve të drejtpërdrejt janë të njohur për Policinë e Kosovës si dhe Agjencinë Kosovare të Inteligjencës. Po punojmë në jo vetëm identifikimin e tyre, por edhe për shkallën e fajësisë dhe lokacionin e tyre”.

“Unë lirisht mund të them se koha e pandeshkushmërisë për kriminelët në këtë zonë ka përfunduar. Përgjigjja e institucioneve të Republikës së Kosovës do të jetë e shpejt, e drejt dhe e pakompromist”, ka deklaruar ai.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Sveçla i pyetur për vizitën e tij gjatë së premtes në Veri, ka treguar se e ka bërë këtë vizitë për dy arsyeje.

“Së pari për të parë së afërmi situatën, së dyti për t’i falënderuar për punën e palodhshme që zyrtarët policorë po bëjnë atje dhe të shoh nëse ka nevojë për mbështetje shtesë nga Ministria e Punëve të Brendshme”.

Situatën aktuale ai po e sheh më të qetë sesa ditët e kaluara.

Ndërsa është shprehur i kënaqur me punën e policëve gjatë këtyre ditëve.

“Situata sot është shumë më e mirë, është me e qetë sesa para disa ditësh. Policët po kryejnë detyrat me plotë përgjegjësi dhe jam jashtëzakonisht i kënaqur pasi pash një entuziazëm tek zyrtarët policorë që të vazhdojnë të kryejnë detyrat e tyre në shërbim të qytetarëve dhe në sigurim të një ambienti të qetë dhe të sigurt për të gjithë”.

Ai shtoi se këto ditë kanë qenë vështirë të përballueshme për të gjithë.

“Ne jemi dëshmitarë për disa ditë të vështira, qoftë për qytetarët atje, qoftë për zyrtarët policorë, qoftë për ushtarët e misionit të KFOR-it dhe patjetër ditë të vështira kishim edhe për gazetarët që opinioni publik të jetë i njoftuar për atë se çka po ndodh në këto katër komuna dhe sjelljen kriminale të milicisë fashiste”.

Protestat e serbëve në Veri të Kosovës të cilët po kundërshtojnë ushtrimin e detyrës së kryetarëve të sapo zgjedhur nga objektet komunale ka hyrë në ditën e gjashtë.

Qindra protestues serbë janë para këtë të premte në orët e hershme të mëngjesit të së premtes në Komunën e Zveçanit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore