Lajme

Supremja i jep të drejtë Qëndron Kastratit për mbylljen e shkollave në Kamenicë


Qëndron Kastrati

Gjykata Supreme këtë të mërkurë e ka vërtetuar aktvendimin e Gjykatës së Apelit për mbylljen e pesë shkollave në Komunën e Kamenicës në kuadër të reformës në arsim që ishte implementuar nga ish-kryetari i kësaj komune, Qëndron Kastrati, shkollat të cilat ishin hapur pastaj nga kryetari aktual i Komunës, Kadri Rahimaj.

Kështu të paktën ka bërë të ditur, Qëndron Kastrati, përmes një postimi në rrjetin e tij social në Facebook.

Sipas tij Gjykata Supreme përmes aktgjykimit ka dëshmuar që reforma në arsim duhet të vazhdojë.

Pesë shkollat që i kishte mbyllur Kastrati në Kamenicë, në kuadër të reformës për arsim, e të cilat ishin rihapur nga kryetari aktual i komunës, Kadri Rahimaj, duhet të mbyllen sërish, në të kundërtën Kastati ka paralajmëruar padi ndaj tij.

“Ministrja e Arsimit mund ta ketë edhe mbështetjen e mbretit por askush në Kosovë nuk eshte mbi ligjin dhe parimet e demokracisë. Këta flasin për PISA por të vetmen iniciativë serioze që adresonte problemin e kualitetit në arsim tentuan ta pengojnë me çdo kusht”, ka shkruar ai në Facebook.

Ndryshe Gjykata Supreme e ka vërtetuar aktvendimin e Gjykatës së Apelit për mbylljen e shkollave, duke i dhënë drejtë Kastratit.

“Refuzohet si e pa bazuar kërkesa për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor, e parashtruar nga e paditura, Komuna e Kamenicës, kundër aktvendimit të Gjykatës së Apelit – Departamenti për Çështje Administrative, a nr.202/2022, i datës 21.03.2022”, thuhet në aktgjykimin e Supremes.

Kastrati i ishte drejtuar Gjykatës Themelore të Prishtinës, me kërkesë që të anulonte vendimin për hapjen e atyre shkollave dhe kishte kërkuar shtyrjen e ekzekutimit të vendimit.

Kundër këtij vendimi kishte dalë Komuna e Kamenicës, e cila kishte bërë ankesë që rasti të kthehet në rishqyrtim, kërkesë që Gjykata Supreme e ka shpallur të pabazuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore