Përballje

Superliga e Kosovës: Drita siguron Evropën, Arbëria bie nga Superliga dhe Trepça’89 luan në fazën Play-out


Pasi që Prishtina u shpall kampion i Superligës së Kosovës një javë pas se të përfundojë kampionati, e gjithë vëmendja e xhiros së fundit ishte te vendi i dytë në tabelë dhe skuadra e cila do t’i bashkohej Besës në Ligën e Parë të Kosovës.

Drita triumfoi me rezultatin 2:0 ndaj Arbërisë, duke siguruar kështu vendin e dytë në Superligë dhe të drejtën për të garuar në fazën para-eliminatore të Europa Conference League-s, dhe njëkohësisht duke dërguar skuadrën nga Lipjani në Ligën e Parë të Kosovës.

Festim Alidema në minutën e 18-të, realizoi nga penalltia, deri sa gola nuk pari deri në pesë minutat e fundit të ndeshjes, kur Ardian Limani i siguroi Dritës fitoren.

Ndërsa, me suksesin e Dritës, mbetet e pavlefshme fitorja fantastike e Ballkanit ndaj kampionit në fuqi, Prishtinës me rezultat 2:5.

Mirlind Daku me një dy-golësh brenda 15 minutave të para të takimit, i dha epërsinë skuadrës së Ballkanit, i cili gjithashtu theu një rekord në Superligë, duke realizuar plot 31 gola brenda sezonit.

Më pas, vendasit arritën ta barazojnë rezultatin në pjesën e parë, përmes dy golave të shënuar nga Besnik Krasniqi.

Arbër Hoxha realizoi dy gola në minutat 70-të dhe 77-të, pastasj dy minuta para përfundimit të ndeshjes Belndi Baftiu realizoi golin e pestë për ekipin nga Suhareka.

Trepça’89 mori një fitore të rëndësishme përballë Drenicës me rezultat 2:1, kështu duke iu shmangur direkt rënies nga Superliga.

Tashmë skuadra nga Mitrovica do të duhet të luajë një ndeshje në Play Out me Dukagjinin më 29 maj, për të vendosur se cila prej të dyjave do të garojë sezonin e ardhshëm në elitën e futbollit kosovar.

Në ndeshjet tjera, Besa e mposhti Gjilanin me rezultat 1:0, ndërsa Llapi dhe Feronikeli ndanë pikët duke barazuar 1:1.

Pra, Besa dhe Arbëria, bien direkt nga Superliga, ndërsa Malisheva dhe Ulpiana, nga sezoni i ardhshëm do të garojnë në elitën e futbollit kosovar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore