Lajme

‘Super ndotësit’: Kush po e mohon krizën klimatike?


Qendra Britanike Kundër Urrejtjes Digjitale (CCDH) ka dalë në përfundimin se keqinformimi rreth krizës klimatike është i shfrenuar në median sociale Facebook dhe se vjen kryesisht nga një pjesë e vogël e botuesve “super ndotës”.

Në studim thuhet se dhjetë botues janë përgjegjës për 69% të përmbajtjes digjitale të mohimit të ndryshimeve klimatike në Facebook.

Mediat, të cilat raporti i etiketon “dhjetë toksikë”, përfshijnë disa faqe interneti konservatore në SHBA, si dhe media shtetërore ruse.

Pamje nga miniera e linjitit Garzweiler, e cila tërheq shumë turistë ditorë, në Garzweiler, Gjermani, e martë 20 korrik 2021.
“Dhjetë toksikët”

“Breitbart”, faqe lajmesh e ekstremit të djathtë të drejtuar dikur nga ish-strategu i Dondald Trump, Steve Bannon.

“Western Journal”, faqe lajmesh konservatore.

“Newsmax”, e cila është paditur më parë për promovimin e komploteve të mashtrimit zgjedhor.

“Townhall Media”, e themeluar nga Fondacioni “Heritage”, i financuar nga “Exxon”.

Qendra e Kërkimeve Mediatike, një “thinktank” që mori financime nga “Exxon”.

“Washington Times”, i themeluar nga mesia i vetëshpallur “Sun Myung Moon”.

“The Federalist Papers”, faqe që ka promovuar dezinformimin e COVID-19.

“Daily Wire”, faqe lajmesh konservatore që është nga më të angazhuarit me botuesit në Facebook.

Media shtetërore ruse, duke shtyrë dezinformimin përmes “RT.com” dhe “Sputnik News”.

“Patriot Post”, faqe konservatore, shkrimtarët e të cilit përdorin pseudonime.

Qendra Britanike Kundër Urrejtjes Digjitale përdori “NewsWhip”, mjet analitik i mediave sociale.

Në analizë u morën 6 mijë e 983 artikuj të mohimit të krizës klimatike që u shfaqën në postimet në Facebook vitin e kaluar.

Artikujt përfshinin dënime të “kultit të ‘ndryshimit klimatik'”, “adhurimi” i të cilit rrezikon të ardhmen e njerëzve, ose u tha lexuesve që “të mos shqetësoheshin shumë për dyoksidin e karbonit që do të pjekë planetin”.

Së bashku, postimet grumbulluan 709 mijë e 57 ndërveprime.

Një zëdhënës i platforma Facebook e hodhi poshtë me forcë studimin në një deklaratë.

Sipas tij, analiza “përdor një metodologji të gabuar të krijuar për t’i mashtruar njerëzit në lidhje me shkallën e keqinformimit të klimës në Facebook”.

Tym nga një pirg oxhaku në mullirin e “BlueScope Steel” në Port Kembla, në jug të Sydney, Australi, 8 korrik 2011. Australia ishte performuesi më i keq i klimës në mesin e vendeve të zhvilluara, që kur Marrëveshja e Parisit e vitit 2015 imponoi angazhime detyruese për të kufizuar ngrohjen globale.

Zëdhënës shtoi se 700 mijë ndërveprimet, të përmendura në raportin mbi mohimin e klimës, përfaqësojnë 0.3% të mbi 200 milionë ndërveprimeve në përmbajtjen publike të ndryshimeve klimatike në gjuhën angleze nga faqet dhe grupet publike gjatë së njëjtës periudhë kohore.

Studimi i së martës i bën jehonë hulumtimit të kaluar mbi atë që është njohur si “Dirty Dozen” – grup llogarish përgjegjëse për shumicën dërrmuese të dezinformatave të COVID-19 që qarkullojnë në mediat sociale.

Në vitin 2020, Facebook bëri publike një Qendër shkencore për ndryshimet klimatike, e cila përmban të dhëna faktike nga burime të besueshme mbi krizën klimatike, për të kundërshtuar përhapjen e dezinformatave në platformat e saj.

Qymyr i grumbulluar në minierën “Whitehaven” jashtë Narrabri, Australi, 11 shtator 2011.

Gjithashtu shton etiketa informuese në disa postime në lidhje me krizën klimatike, të cilat i drejtojnë përdoruesit në qendër.

Një zëdhënës tjetër i Facebook-ut tha se merrte më shumë se 100 mijë vizitorë çdo ditë.

Ai burim më parë ishte synuar kryesisht te përdoruesit amerikanë, por të hënën, kompania njoftoi se po zgjeronte Qendrën e saj të Shkencës për Ndryshimet Klimatike në më shumë se 100 vende, duke etiketuar postimet për herë të parë në Belgjikë, Brazil, Indi, Indonezi, Meksikë, Holandë, Spanjë dhe Tajvani.

Autorët e studimit po i kërkojnë platformës së mediave sociale të shkojë shumë më tej.

Ata i kanë bërë thirrje Facebook-ut të ndalojë marrjen e pagesave nga botimet për të promovuar përmbajtjen e tyre dhe për të etiketuar dezinformatat rreth krizës klimatike në një numër më të madh postimesh.

Zjarrëfikësit kontrollojnë një zjarr në vend pranë Bredbo, në jug të kryeqytetit australian, Canberra, 2 shkurt 2020.

Studimi zbuloi se 92% e artikujve më të njohur të ekzaminuar nuk kishin një etiketim në lidhje me dezinformimin e krizës klimatike.

CCDH-ja gjithashtu i bëri thirrje “Google” të heqë tetë nga dhjetë botimet që përdorin “Google Ads” për të përfituar nga përmbajtja e tyre e mohimit të krizës klimatike.

Studiuesit përcaktuan se ato tetë botime fituan rreth 3.6 milionë dollarë përmes “Google Ads” në gjashtë muajt e fundit.

Konferenca e 26-të e Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike COP26, e cila po mbahet në Glasgow të Skocisë, është përshkruar gjerësisht si një nga më të rëndësishmet sa i takon trajtimit të ngrohjes globale.

Në këtë samit morën pjesë 120 krerë shtetesh dhe qeverish. Deri më tani, vendet janë dakordësuar për një zotim global që të ulen nivelet e metanit deri në vitin 2030.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore