Lajme

COP26, ‘momenti i së vërtetës’


COP26, samiti i shumëpritur i ndryshimeve klimatike nis në qytetin skocez të Glasgow.

Delegatë nga afro 200 vende do të jenë atje për të treguar se si do të ulin emetimet deri në vitin 2030 dhe se si do të ndihmojnë planetin, shkruan e përditshmja “BBC”.

Emetimet e karburanteve fosile të shkaktuara nga njerëzit e që kanë shkaktuar ngrohjen globale, i kanë bërë shkencëtarët të paralajmërojnë se nevojitet veprim urgjent për të shmangur një katastrofë klimatike.

Boris Johnson, kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, ka shprehur se samiti do të jetë “momenti i së vërtetës në botë”.

Duke folur para konferencës dy-javore, kryeministri britanik u kërkoi udhëheqësve që ta shfrytëzojnë këtë senat sa më shumë.

“Pyetja që të gjithë po bëjnë është nëse ne e shfrytëzojmë këtë moment apo e lëmë të ikë”, ka ravijëzuar ai.

Ditën e parë do të shihet një raport mbi gjendjen e klimës të publikuar nga Organizata Botërore Meteorologjike (WMO).

Ky raport i përkohshëm i WMO-së nga shkencëtarët e klimës do të krahasojë temperaturat globale të këtij viti me vitet e mëparshme.

Emergjenca vjen pasi ngjarjet ekstreme të motit të lidhura me ndryshimet klimatike, duke përfshirë valët e të nxehtit, përmbytjet dhe zjarret në pyje, po intensifikohen.

Rasti më konkret është ai që përfshin dekadën e kaluar, më e ngrohta e regjistruar dhe qeveritë kanë rënë dakord se nevojitet veprim urgjent kolektiv.

Kjo mbledhje e Kombeve të Bashkuara është një nga samitet më të mëdha që Mbretëria e Bashkuar ka pritur ndonjëherë dhe është shtyrë për një vit për shkak të pandemisë COVID-19.

Lidhur me akronimin COP, do të thotë ‘konferenca e palëve’ dhe është konferenca e 26-të e kësaj natyre.

Mësohet se shumica e drejtuesve do të mbërrijnë të dielën e 31 tetorit vonë në mbrëmje. Shumë prej tyre po udhëtojnë nga një samit tjetër, G20, në Romë, tregon “BBC”.

Kjo e diel është kryesisht një ditë hapjeje ceremoniale, me fjalime të ndryshme, duke përfshirë Abdulla Shahid, presidentin e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së dhe ministrin e Jashtëm të Maldiveve.

Për shkak të rritjes së nivelit të detit, ishujt e ulët të Maldiveve kërcënohen nga ndryshimet klimatike.

Por edhe vendet nga çdo rajon i botës do të kenë përfaqësues në Glasgow, të gatshëm për të diskutuar planet e tyre për të ulur emetimet deri në vitin 2030.

Të gjithë ata kanë rënë dakord në vitin 2015 për të bërë ndryshime lidhur me ngrohjen globale. Shumë nga ata kanë sugjeruar ulje me dy gradë celsius.

Teksa ngjarjet ekstreme të motit janë intensifikuar, shkencëtarët e klimës u kanë kërkuar kombeve të synojnë ulje me 1.5 gradë celsius për të kufizuar rrezikun e fatkeqësive mjedisore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore