Sport

Super Bowl? Super Brady!


Tom Brady ngre trofeun e shtatë të Super Bowl në karrierë

Në të shumtën e rasteve, është e debatueshme se kush është më i miri i të gjitha kohërave në një sport të caktuar. Maradona apo Pele? Messi apo Ronaldo? Jordan apo LeBron?

Në futbollin amerikan, nuk ka pasur kurrë dyshime, por sot më shumë se kurrë, kemi emrin e jo vetëm më të madhit në histori, por atij që kalon në përjetësi. Tom Brady!

Një bast i vënë me veten dhe me kohën. 43 vjeçari mposht të gjitha zërat kundër. Një ekip që vitin e shkuar renditej ndër të fundit, me ardhjen e Brady-t, shpallet kampion bote. Tampa Bay Buccaneers, janë fituesit e Super Bowl LV.

Një ndeshje që mbaroi pa filluar ende. Talenti më i madh në NFL, Patrick Mahomes, u zbeh në atë pikë sa u bë i padukshëm. Madhështia e Brady-t, në fakt, u sfidua vetëm nga spektakli i pushimit të ndeshjes, ku kanadezi The Weeknd, dhuroi spektakël.

31-9. Rezultat që u vendos në tre pjesë, pasi e katërta, ishte thjeshtë një formalitet. Historia e vërtetë këtu, është përralla Brady. Një përrallë, që çuditërisht ka 20 vite që përsëritet dhe bëhet realitet.

Pa filluar ende, në sezonin pandemik, e quajtën të çmendur që ai u largua nga ekipi me të cilin kishte luajtur gjithë karrierën, New England Patriots. Sot, të çmendur dhe të tërbuar, janë Patriots-at. Miti i dinastisë më jetëgjatë në NFL ra. Kjo, sepse me fitoren e Brady-t, kreditet më të mëdha i shkojnë atij, për hegjemoninë e qytetit të Bostonit në sportin ikonë amerikan, gjatë 20 viteve të fundit.

Shtatë nga dhjetë!

Brady ka shkuar dhjetë herë në Super Bowl. Ndër këta, shtatë i ka fituar. Të mos kishte qenë për dy kapje të magjishme në finalet e fituara nga Giants-at e New York-ut, Brady do të kishte në gishtat e duarve, nëntë unaza.

Shtatë aktualet që ka gjithsesi, e bëjnë më të titulluarin në histori. E bëjnë të quhet, siç njihet në zhargonin amerikan, “The GOAT”. Më i miri i të gjitha kohërave. Këtë herë pa asnjë dyshim mbi faktin. Më i qëndrueshmi. Më dinamiku. Më i sofistikuari. Jo, më i talentuari, por më punëtori.

Është lojtari i një gjenerate që ka stofën e kampionit. Është lojtari, i cili mund të dashurohet dhe të urrehet nga të gjithë njëkohësisht. Është historia që mahnit dhe çdokush do të donte ta jetonte.

Tom Brady është e shkuara, e tashmja dhe e ardhmja e historisë së futbollit amerikan.

Njësimi më i lartë për një lojtar të NFL-së, është mbërritja në Super Bowl.

Në Super Bowl, njësimi më i lartë, është Super Brady.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore