Lajme

Stano: Keqardhje për Listën Serbe që s’po merr pjesë në zgjedhje


Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka deklaruar se ndjen keqardhje që Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë nuk e ka shfrytëzuar të drejtën demokratike për të marrë pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme në komunat në veri të Kosovës.

“Zgjedhjet janë gur themeli i demokracisë, dhe BE-ja gjithmonë e ka theksuar rëndësinë e gjithpërfshirjes”, ka thënë Stano për Radio Evropa e Lirë.

Ai tutje ka theksuar se është shumë e rëndësishme që këto zgjedhje të mbahen në kushte paqësore.

Më 23 mars edhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, nëpërmjet një cicërime në rrjetin social Twitter, ka shprehur zemërimin e saj pasi Lista Serbe refuzoi të marrë pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme për katër komunat veriore të Kosovës.

Këto zgjedhje janë caktuar të mbahen më 23 prill, pas shtyrjes së tyre në dhjetor të vitit të kaluar, me kërkesë të bashkësisë ndërkombëtare.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarët e Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut, janë shpallur për 23 prill, pasi kryetarët e Listës Serbe kanë dhënë dorëheqje për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për zbatimin e procesit të riregjistrimit të automjeteve nga targat serbe në targa të Kosovës.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës ka bërë të ditur se nuk ka aplikime të reja, por vetëm u janë konfirmuar kandidaturat atyre që kanë aplikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet e 18 dhjetorit. Kjo do të thotë se janë gjithsej 11 kandidatë nga katër subjekte politike, prej të cilëve vetëm dy janë të komunitetit serb.

Afati për paraqitjen e kandidaturave ka skaduar më 22 mars. Lista Serbe – forca më e madhe politike e serbëve të Kosovës – ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme të jashtëzakonshme lokale në komunat në veri të Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shkruar në llogarinë e tij në Twitter, më 23 mars, se refuzimi i Listës Serbe për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale është “shenjë e kontrollit të Beogradit mbi partinë dhe e ndërhyrjes së vazhdueshme në punët e brendshme të Kosovës”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore