Kosova

Von Cramon ‘ultimatum’ Listës Serbe: Dorëzojeni listën zgjedhore në KQZ pa vonesë


Viola von Cramon

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, nëpërmjet një cicërime në rrjetin social Twitter, ka shprehur zemërimin e saj pasi Lista Serbe refuzoi të marrë pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme për katër komunat veriore të Kosovës.

“Ndjejmë keqardhje për refuzimin e Listës Serbe për të marrë pjesë në zgjedhjet në veri të Kosovës dhe kërkojmë që të dorëzojë listën e saj zgjedhore pa vonesë. Apel për të gjithë aktorët përkatës në Kosovë dhe Serbi që të demonstrojnë përkushtim ndaj Marrëveshjes së 27 Shkurtit dhe Aneksit me fjalë dhe me veprime”, shkroi ajo.

Von Cramon po ashtu ka nisur një letër në drejtim të autoriteteve të Kosovës dhe sëbashku me deputetin socialdemokrat Thijs Rauten, u kanë bërë thirrje për “fleksibilitet dhe t’i bëjnë thirrje Listës Serbe që të dorëzojë listat e kandidatëve pa vonesë”.

Në letren e Von Cramon-Rauten shkruhet se neni 7 i Planit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i obligon të dyja palët që të sigurojnë një nivel të duhur të “vetëmenaxhimit” për komunitetin serb në Kosovë.

“Zgjedhjet janë një shans kyç për popullin e veriut të Kosovës për të siguruar vetëmenaxhim përmes ushtrimit të të drejtave të tyre demokratike. Mospjesëmarrja në zgjedhje do t’i privonte popullit të Kosovës në veri nga e drejta e tyre që do të punojnë për të ndërtuar një e ardhme më e mirë për komunitetin e tyre”.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarët e Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut, janë shpallur për 23 prill, pasi kryetarët e Listës Serbe kanë dhënë dorëheqje për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për zbatimin e procesit të riregjistrimit të automjeteve nga targat serbe në targa të Kosovës.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës ka bërë të ditur se nuk ka aplikime të reja, por vetëm u janë konfirmuar kandidaturat atyre që kanë aplikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet e 18 dhjetorit. Kjo do të thotë se janë gjithsej 11 kandidatë nga katër subjekte politike, prej të cilëve vetëm dy janë të komunitetit serb.

Afati për paraqitjen e kandidaturave ka skaduar më 22 mars. Lista Serbe – forca më e madhe politike e serbëve të Kosovës – ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme të jashtëzakonshme lokale në komunat në veri të Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shkruar në llogarinë e tij në Twitter, më 23 mars, se refuzimi i Listës Serbe për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale është “shenjë e kontrollit të Beogradit mbi partinë dhe e ndërhyrjes së vazhdueshme në punët e brendshme të Kosovës”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore