Gjykata Speciale

Specialja përfundon bastisjet – “morën dokumente në shtëpinë e ish-shefit të AKI-së”


Ka përfunduar bastisja e hetueseve të Dhomave të Specializuara nga Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës, në shtëpinë e ish-shefit të AKI-së, Bashkim Smakaj dhe në banesën e Blerim Shalës, ish-këshillar i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Avokati i Smakjt, Artan Qerkini, është shprehur i befasuar që hetuesit kanë hyrë në shtëpinë e ish-kryespiunit kosovar pa pasur certifikatën e sigurisë”, derisa ka theksuar se klienti i tij “nuk është evidentuar në këto dokumente si i dyshuar”.

“Janë marrë disa dokumente. A është marrë ndonjë dokument që është i ndjeshëm për sigurinë e shtetit të Kosovës, kjo mbetet të shihet”, tha ai para gazetarëve.

“Do të ndërmerren edhe procedurat e nevojshme ligjore nëse është marrë ndonjë dokument i kësaj natyre”, shtoi ai.

Artan Qerkini

Qerkini i cili është avokat edhe Blerim Shalës, ish-këshilltarit politik të ish-presidentit Thaçi, potencoi se nuk ka detaje nëse është konfiskuar ndonjë gjë në banesën e Shalës në të cilën po ashtu u kryen bastisje nga hetuesit e Speciales.

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), nëpërmjet një përgjigje me shkrim, ka konfirmuar për Albanian Post se është duke zhvilluar “operacione të vazhdueshme” në Kosovë, derisa ka njoftuar se po asistohet nga Policia e Kosovës dhe Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) përgjatë këtyre operacioneve.

Edhe në shkurt të këtij viti ekipet policore të EULEX-it me urdhër të Zyrës së Prokurorit të Specializuar kishin kryer bastisje në banesën e Adil Behramaj, këshilltar politik i ish-presidentit Thaçi, aksion që kishte nisur rreth orës 08:30 mëngjesin e 22 shkurtit e kishte përfunduar në mbrëmje.

EULEX-i ka kryer bastije edhe në banesën e familjarëve të dëshmorëve, Fahri e Bahri Fazliu, në lagjen “Kodra e Diellit” në Prishtinë, në shtator të këtij viti, nën arsyetimin se të njëjtët kanë tentuar të ndikojnë në dëshmitarë, derisa procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) është duke vazhduar në Hagë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore