Shqipëria

SPAK çon në gjyq gjyqtaren Mimoza Margjeka dhe bashkëshortin e saj


Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe ka paraqitur kërkesë për dërgimin në gjyq të gjyqtares Mimoza Margjeka. Ajo akuzohet për “Korrupsion pasiv të gjyqtarëve”. Vendimi në fjalë vlen edhe për bashkëshortin e saj, Arben Cara.

SPAK ka paraqitur kërkesë për dërgimin në gjyq të të pandehurve: Mimoza Margjeka dhe Arben Cara, të akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsionit pasiv të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, thuhet në njoftim.

Po ashtu Nejton Bali, Klaudjo Zhilla dhe Skënder Demiraj janë akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsionit aktiv të gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë nga SPAK”.

Të pandehurit (shtetasit) Nejton Bali, Klaudjo Zhilla dhe avokati Skënder Demiraj, akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, i kanë dhënë të pandehurës Mimoza Margjeka, me funksion gjyqtare, ndërkohë që ushtronte funksionet në Gjykatën e Apelit Korçë, nëpërmjet bashkëshortit të saj, të pandehurit Arben Cara, një shumë parash prej 6 mijë eurosh, si përfitim të paligjshëm.

Kjo shumë parash është dhënë me qëllim ndryshimin e masës së sigurimit nga ajo e “arrestit në burg”, në atë të “garancisë pasurore”, ndaj shtetasit Orion Bali, i arrestuar nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, për veprën penale të “Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”.

Nejton Bali, vëllai i të dënuarit, dhe Klaudjo Zhilla, kanë luajtur rolin e sekserit, përmes njohjeve që kanë pasur me Arben Carën dhe gjyqtaren Mimoza Margjeka. Bali kishte pajtuar si avokat mbrojtës për vëllanë e tij shtetasin avokatin Skënder Demiraj.

Ky i fundit, me njohjen që kishte me bashkëshortin e gjyqtares, ka ndikuar kundrejt shumës 6 mijë euro, që gjyqtarja të bënte ndryshimin e masës së sigurisë për shtetasin Orion Bali.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore