Kultura

Sot festa e nënës – Nga mitologjia tek protestat moderniste amerikane


Dita bie çdo të dielë të dytë të majit dhe origjinën e ka në ritet pagane, të festuara nga grekët dhe romakët, por versioni bashkëkohor është falë aktivistes amerikane, Anna Jarvis.

Festa e nënës këtë vit shënjohet më 8 maj dhe ditët e sotme, njihet më së shumti si një kremtim konsumist, por në realitet, rrënjët i ka në celebrimet e grekëve dhe romakëve.

Objektivi i këtyre riteve pagane, ishte të festonin gruan dhe mëmësinë, si simbol i jetës dhe ripërtëritjes pas dimrit të acartë.

Festa u rikthye në vëmendje në modernitet, vetëm falë aktivistes Ann Reeves Jarvis, një aktiviste për të drejtat e gruas nga Virginia.

Aktivistja Ann Jarvis

Gjatë luftës civile amerikane, e zhvilluar mes viteve 1861 dhe 1865, Jarvis zhvilloi një klub të grave, i cili kishte për qëllim të promovonte kushtet higjienike në familjet amerikane. Por, duke parë pasojat e luftës, misioni i klubit kaloi edhe tek trajtimi i të plagosurve nga të dy frontet, pa diskriminime.

Kështu, tre vjet pas përfundimit të luftës, në vitin 1868, mori jetë Dita e Nënës, si një mënyrë për të pajtuar ushtarët dhe familjet e tyre.

Po në këtë mënyrë, një tjetër aktiviste, këtë herë nga New York-u, Julia Ward Howe, vendosi t’i jepte jetë Ditës së Nënës për Paqen, me qëllim stimulimin e debatit kundër luftës.

Por krijuesja e vërtetë e festës që njohim sot, është e bija e Ann Reeves, Anna Jarvis, e cila luftoi për të institucionalizuar një ditë të veçantë për nën e saj, të shuar më 9 maj 1905.

Aktivistja Anna Jarvis

Ishte më 10 maj 1908, kur Anna e arriti ta kthente në realitet këtë ëndërr, kur ndodhi edhe pajtimi kombëtar në SHBA.

Festime dhe manifestime u zhvilluan në qytetin e saj të lindjes, Grafton, në Virginian perëndimore.

Aq popullor qe celebrimi, sa që fjala i shkoi në vesh presidentit amerikan të asokohe, Woodrow Wilson, i cili vendosi ta kthente në festë zyrtare.

Ajo, do të festohej – dhe vijon të festohet – të dielën e dytë të majit.

Por, ndryshe nga konceptimi fillestar, me kalimin e viteve, festa mori natyrë komerciale dhe sot, vijon të kremtohet si e tillë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore