Lajme

Sot, 70 vjet nga Traktati i Parisit


70 vjet kanë kaluar nga nënshkrimi i Traktatit të Parisit, më 18 prill 1951.

Kjo marrëveshje njihet si “traktati që sanksionoi krijimin e Komuniteteve Evropiane të Qymyrit dhe Çelikut (KEQÇ)”.

Nëpërmjet tij, gjashtë vendet nënshkruese (Belgjika, Franca, Holanda, Italia, Luksemburgu dhe Republika Federale e Gjermanisë), angazhohen të vendosin bashkëpunimin ndërkombëtar mbi baza krejtësisht të reja.

Ditën e diel, më 18 prill, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka përkujtuar këtë 70-vjetor.

Me anë të një postimi në Twitter, ajo u shpreh se ky traktat është baza e bashkëpunimit midis kombeve që dikur ishin armike.

“E ringjallur nga rrënojat e luftës, Evropa filloi rrugëtimin e saj drejt Bashkimit të sotëm”.

Gjithashtu, edhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka reaguar në Twitter, duke u shprehur kështu për 70-vjetorin e Traktatit për Komunitetin Evropian të Qymyrit dhe Çelikut:

“70 vjet më parë, në Paris, 6 vende bënë zgjedhjen e paqes dhe bashkëpunimit, duke nënshkruar Traktatin për Komunitetin Evropian të Qymyrit dhe Çelikut. Ata hodhën bazat për Bashkimin tonë Evropian. Ne jemi garantuesit e këtij akti themelues”.

Marrëveshja ndërmjet vendeve kishte synim krijimin e një Tregu të Përbashkët të Qymyrit dhe Çelikut. Kjo do të arrihej nëpërmjet vendosjes së prodhimit të tyre nën një pushtet mbikombëtar, i cili ishte Autoriteti i Lartë i përbashkët franko-gjerman i hapur ndaj pjesëmarrjes së vendeve të tjera të Europës.

Qëllimi qe hedhja e bazave të përbashkëta të zhvillimit ekonomik, si faza e parë e federatës evropiane. Për të ndryshuar kështu fatin e këtyre vendeve, të cilat për shumë kohë i ishin drejtuar industrisë së prodhimit të armëve.

Krijimi i tregut të përbashkët të qymyrit dhe çelikut presupozonte heqjen e tarifave doganore dhe të kufizimeve sasiore në qarkullimin e lirë të mallrave, heqjen e masave diskriminuese, si dhe subvencionimet e ndihmat shtetërore.

Ai dominohej nga parimi i konkurrencës së lirë, por ndërkohë Komuniteti kontrollonte furnizimin e tij të rregullt dhe përcaktimin e çmimeve në nivelin më të ulët.

Krijimi i KEQÇ-së ndikoi pozitivisht në intensifikimin e këmbimeve, modernizimin e prodhimit, rënien e mungesës së qymyrit në treg, dyfishimin e prodhimit të çelikut, stabilizimin e furnizimit të tregut me produkte çeliku.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore