Shqipëria

Snapchat, sekschat


Erika, një 20-vjeçare zeshkane me sy të kaltër, fiton rreth 1 milionë lekë në “Snapchat”. Ajo shet fotot e saj gjysmë te zhveshura, të cilat joshin jo pak njerëz. Të rinj, të moshuar, beqarë e të martuar, lënë kokën pas fotove provokuese të saj. Për pak para, çdokush mund të ketë fotot e Erikës në celular. Mjafton vetëm të paguhet.

Kjo është mënyra që 20-vjeçari nga Korça, Andi, ka zgjedhur për të siguruar të ardhurat e tij dhe për të plotësuar nevojat jetësore, në një qytet ku jo pak vuajnë për punë!

20-vjeçari studion në Tiranë. Ai na ka treguar se në momentin që mësimi filloi online, vendosi ta shfrytëzonte kohën e lirë duke punuar.

“Grupi i shokëve të klasës më tregoi për një punë që kishin nisur, të cilën e bënin nëpërmjet celularit. U bëra kurioz dhe i pyeta. Ata më treguan se fitonin para përmes aplikacionit Snapchat. E pashë që ata po ‘xhironin’ lekë. Kështu e nisa dhe unë”.

Ai na tregoi më hollësisht procedurën e kësaj pune.

“Hiqesh sikur je një vajzë. Hap një adresë me foto të ndryshme modelesh, të cilat i marrim nga “Google-i”. Më pas fillojmë të shtojmë shokët, të cilët nuk duhet të jenë nga Shqipëria, por të huaj. Nuk ka rëndësi se nga cilat shtete janë. Atyre u dërgon një link, tek i cili u kërkon të regjistrohen. Përmes kësaj paguhesh. Lekët kalojnë në llogarinë tënde”.

Andi tha për Albanian Post se pagesa për regjistrimin e një personi në këtë link është mesatarisht dy dollarë. “Mua personalisht më ka ndodhur të fitoj nga 1 milionë e 300 deri në 1 milionë e 500 mijë lekë. Kam punuar me intensitet. Kisha shumë dëshirë”.

Ai na bëri të ditur se mosha që merren me këtë punë fillon nga 18 deri në 35-vjeç. “Njoh edhe një çift nga Tirana që kanë 3 vjet që merren me këto punë. E kanë kthyer në formë jetese”.

Kur e pyetëm se sa të punësuar mund të jenë gjithsej në këtë “rrjet”, ai na tha se nuk ka të dhëna të sakta. “Nuk mund të them një numër të saktë, sepse nuk punojmë të gjithë me linkun e një kompanie. Unë personalisht njoh diku 40-të persona”.

Ky student, tha për Albanian Post se shuma e parave që merr është e mirë, por sapo të gjejë diçka më të rehatshme ka ndërmend ta lerë.

Ai na tregoi se në grupin ku punon ai ka edhe vajza.“Ka edhe vajza që e bëjnë këtë punë. Unë kam edhe të dashur, ajo nuk e ka problem që e bëj këtë lloj pune”.

Ndërkohë Xhoni, një djalë tjetër që punon përmes “Snapchat-it”, na tha se ato zakonisht punojnë me mesazhe automatike dhe se biseda bëhet në gjuhën angleze, pasi e njeh e gjithë bota. Ai tha se këto ditë kanë pasur probleme edhe me adresat.

“Disa adresa na janë bllokuar. Hapim të reja. Kjo vjen pasi çdo ditë numri i regjistrimeve vetëm rritet”.

Dëshira për të pasur një punë i ka vetëpunësuar të rinjtë në Shqipëri. Një numër jo vetëm të rinjsh, por grupmoshash të ndryshme, po drejtohet drejt punës në internet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore