Sport

Skenari i zbuluar nga mediat angleze: Zidane te PSG, Pochettino te United


Klubi i Manchester United ka mbetur pa trajner, pas largimit të norvegjezit, Ole Gunnar Solskjaer, i cili u shkarkua pas humbjes së fundit nga Watford-i, me rezultat 4:1.

“Djajtë e kuq” janë duke kërkuar një emër me peshë për të zëvendësuar Solskjaer-in, derisa emri më i dëshiruar nga drejtuesit e klubit anglez, është ai i francezit, Zinedine Zidane.

Zidane momentalisht nuk është i angazhuar në asnjë skuadër, por sipas BBC, ai e ka hedhur poshtë opsionin për t’u bashkuar me Manchester United.

Sipas asaj që raportojnë mediat angleze, dëshira e 49 vjeçarit është që të marrë drejtimin e klubit të Paris Saint Germain, apo kombëtares së Francës.

Sa i përket stolit të PSG-së, kjo lëvizje është më se e mundshme, pasi që trajneri aktual i tyre, Mauricio Pochettino, disi nuk po bind drejtuesit e klubit.

Pochettino nuk arriti të fitojë ligën e Francës në sezonin e kaluar, përkundër faktit se në ekip ka yje të shumtë, si Mbappe e Neymar, por ai nuk po bind as tani, i cili duket fare pranë largimit.

Gjithashtu, sipas asaj që shkruan “Daily Mail”, edhe trajneri argjentinas nuk ndihet mirë në Paris, sepse ai qëndron akoma në hotel, ndërsa familja e tij vazhdon të jetojë në Mbretërinë e Bashkuar.

Pra, nëse presidenti i PSG-së, Naser Al Khelaifi vendos të marrë Zidane, atëherë Pochettino s’do të kishte asnjë pengesë për t’iu bashkuar Manchester United.

Ndërsa, dëshira tjetër e Zidane për të drejtuar kombëtaren franceze, duhet një kohë e gjatë për të pritur, pasi që ky post është aktualisht i zënë nga trajneri Didier Deschamps, i cili nuk pritet të shkarkohet, duke respektuar kontratën deri në dhjetorin e vitit të ardhshëm.

Pra, sipas asaj që përshkruajnë mediumet angleze, një lëvizje: Zidane në PSG dhe Pochettino në Manchester, me shumë gjasa pritet të ndodhë në ditët e ardhshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore