Gjykata Speciale

“S’kam dëgjuar për Pjetër Shalën në 99-ën”, thotë dëshmitari i nëntë


Dëshmitari i nëntë në Speciale.

Dëshmitari i 9-të i mbrojtjes në rastin e Pjetër Shalës, ka deklaruar se, “s’ka dëgjuar dhe as nuk e ka parë atë gjatë vitit 1999”.

Në një pjesë ku Gjykata Speciale kaloi në seancë të hapur, dëshmitari deklaroi se për Shalën kanë dëgjuar vetëm kur kanë nisur seancat gjyqësore ndaj tij.

“Jo nuk kam parë dhe nuk kam dëgjuar për të, përveç tash kur kanë filluar seancat gjyqësore”, tha dëshmitari me kodin ‘W04280’.

Ai shtoi se, “s’ka dëgjuar asnjëherë për dikë me nofkën ‘Ujku’.

Pas kësaj, me kërkesën e avokatit Aouini, seanca sërish ka kaluar në sesion privat për publikun.

Seanca private në Gjykatën Speciale.

Shala, ishte arrestuar më 16 mars të vitit 2021 nga autoritete belge. Ndërsa transferimi i tij në Dhomat e Specializuara të Kosovës u bë më 15 prill 2021.

Shala sipas aktakuzës ngarkohet me përgjegjësi penale individuale me forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.

“Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhej në aktakuzë.

Por, Shala në nisje të gjykimit ndaj tij pati thënë në se akuzat ndaj tij janë “të fabrikuara”.

“Nuk pranoj asgjë, të gjitha janë të fabrikuara”, theksoi Shala.

Gjykata Speciale tashmë e ka shqiptuar dënimin e parë për krime lufte në dhjetor të vitit të kaluar.

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, është dënuar më 26 vjet burgim për vrasje të paligjshme, ndalim arbitrar dhe torturë.

Dëshmitari i nëntë në gjykimin ndaj Shalës nis deklaratën në seancë të mbyllur

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore