Lajme

Sinisha Petriç – i dyshuari për masakrën e Dubravës, pritet të lirohet së shpejti


Brenda këtij muaji një nga vrasësit më famëkeq të klanit të Zemunit, Sinisha Petriç do të transferohen nga Spanja në Sarajevë të Bosnjë-Hercegovinës, konkretisht në burgun e Foçës”, raporton mediumi boshnjak Raport.ba.

Sipas vendimit të Gjykatës së Qarkut të Banja Llukës, thuhet se Petriç do të vuajë atje tri vjet dënim, por supozohet se do të qëndrojë një vit, e “me sjellje të mirë” do të lirohet më pas.

Petriç dyshohet se me ekipin e tij vrau 95 shqiptarë të burgosur në Dubravë mes 22 dhe 24 maj të vitit 1999 dhe vrasjen e gjashtë serbëve në kafenenë “Panda”.

Sipas mediumit boshnjak, Petriç ka kërkuar që ta vuajë pjesën tjetër të dënimit në Bosnjë-Hercegovinë, gjë e cila u pranua nga Gjykata e Qarkut në Banja-Llukë në rrethana të çuditshme.

“Nuk është e qartë mbi çfarë baze gjykata ka pranuar kërkesën e tij, duke qenë se nuk është kompetente në asnjë bazë. Mbi të mund të ketë juridiksion vetëm gjykata në Zenicë, bazuar në vendlindjen e tij, sepse Petriç ka lindur në atë qytet nga ku edhe e ka marrë pseudonimin”, shkruan tutje raport.ba.

Sipas medias boshnjake, ky vendim ka ndezur alarmin në Bosnjë, te institucionet e sigurisë që janë habitur me vendimin, sepse praktikisht nuk ishin fare të njoftuara.

Ajo që po e shqetëson policinë boshnjake dhe agjencitë e inteligjencës është se çfarë do të ndodhë me Petriçin pasi të dalë nga burgu, duke qenë se ai njihet si një psikopat për të cilin vrasja e njerëzve është një përshkrim normal i punës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore