Lajme

Sindikata e Infermierëve të Kosovës paralajmëron grevë më 5 prill


Ilustrim

Sindikata e Infermierëve të Kosovës do të mbajë grevë me 5 prill para objektit të Drejtorisë së Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovë (SHSKUK).

Ky vendim i infermierëve ka ardhur pas dështimit për reflektim të Ministrisë së Shëndetësisë (MSH) ndaj kërkesave të komuniteteve të infermierëve, mamive dhe profesionistëve të tjerë shëndetësor.

Sipas një komunikate të publikuar në rrjetin social Facebook, kërkesat e Sindikatës janë që koeficienti i pagave të jetë 7.1 për të gjithë infermierët, mamitë dhe profesionistët tjerë shëndetësor, bazuar në tabelën e koeficientëve e cila është publikua së fundi, respektivisht 70% e pagës së mjekut.

Kërkesa tjetër është “Rritja e menjëhershme e pagesës së ndërrimeve të natës nga 18€ në 36€” dhe “pagesa e punës shtesë, respektivisht orët shtesë për infermier, mami dhe profesionist tjerë shëndetësor”, thuhet në komunikatë.

Infermierët kanë thënë se kërkesë e tyre është edhe pagesa e menjëhershme e rrezikshmërisë në punë dhe pagesa e punës gjatë vikendeve, ashtu siç u paguhet mjekëve, thuhet në komunikatë.

“Në konsultim me organet e Sindikatës së Infermierëve të Kosovës, Kryesinë, Këshillin Drejtues dhe Këshillin për Protesta dhe Greva, bazuar në Ligjin mbi Grevat nr. 03/ L- 200 dhe Ligjin mbi Organizimin Sindikal në Republikën e Kosovës Nr. 04/L-011, në vazhdën e masave dhe veprimeve sindikale, me datë 05/04/2022, e Marte do të zhvillohet aktiviteti sindikal ‘GREVË PARALAJMËRUESE’ ”.

Sipas Sindikatës greva do filloj në orën 8 të mëngjesit dhe do të zgjasë një orë.

Për këtë protestë Sindikata ka ftuar të gjithë anëtarët e saj që të mblidhen para objektit të Drejtorisë së SHSKUK-së.

Pavarësisht protestës, Sindikata ka bërë të ditur se Këshilli Grevist ka për detyrë që gjatë kohës së grevës të bashkëpunojë me SHSKUK /QKUK-në për të siguruar minimumin e procesit të punës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore