Euro 2020

Simon Kjaer: Objektivin e arritëm, por synojmë edhe finalen


Kualifikimi historik i Danimarkës në gjysmëfinalen e “Euro 2020” doli të jetë një ndër befasitë më të këndshme të këtij Kampionati Evropian.

Danezët tejkaluan parashikimet e shumë njerëzve duke arritur në këtë fazë me pak fat, por edhe me shumë zemër.

Ata fillimisht e nisën keq këtë aventurë pas lëndimit frikësues të futbollistit të tyre, Christian Eriksen, në ndeshjen e parë kundër Finlandës, të cilën e humbën me rezultat 1:0.

Ndeshjen e dytë, ishin të pafat teksa humbën përballë Belgjikës, derisa në të tretën e mposhtën Rusinë me shifrat 4:1, çka bëri të tejkalojnë fazën e grupeve.

Në fazën e 1/8-ve danezët shkëlqyen duke e eliminuar Uellsin me rezultat 4:0, pastaj eliminuan edhe Çekinë në çerekfinale me shifrat 2:1.

Thënë ndryshe, objektiva e kombëtares skandinave, tani më është arritur, megjithatë kapiteni i kësaj skuadre në një intervistë për media ka paralajmëruar Anglinë të këtë kujdes në përballjen me ta.

“Objektivi ynë ishte arritja deri në gjysmëfinalet e ‘Wembley’, por do të gënjeja nëse do të thosha se tani ngopemi me kaq”, deklaroi Simon Kjaer.

“Jemi duke u rikuperuar fizikisht, pasi përpara kemi një ndeshje kaq të rëndësishme. Luftuam me gjithë zemër ndaj Çekisë. Mund të kishim bërë ndeshje më të mirë sepse u lejuam mjaft terren kundërshtarëve, por për fat të mirë arritëm ta mbrojmë rezultatin”, tha kapiteni danez.

Gjysmëfinalja mes Anglisë dhe Danimarkës do të zhvillohet të mërkurën në stadiumin “Wembley” të Londrës, ku do të jenë ta pranishëm rreth 60 mijë tifozë, shumica prej të cilëve priten të jenë anglezë.

Derisa, ky është kualifikimi i dytë i Danimarkës në një gjysmëfinale, pas atij të vitit 1992, ku dhe arritën të shpallen Kampion të Evropës.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore