Sport

Simeone kërkon futbollistin e Betis-it që vlen 100 milionë euro


Skuadra e Atletico Madrid-it ka nisur punën për të përforcuar skuadrën për sezonin e ardhshëm.

Trajneri, Diego Simeone, është duke përpiluar listën e futbollistëve që ai dëshiron në ekip, ku i fundit që është i preferuar nga argjentinasi, është futbollisti i Real Betis-it, Nabil Fekir.

Fekir ka kontratë me klubin e Betis-it deri në verën e vitit 2026 dhe për ta transferuar atë në “Wanda Metopolitano” nuk do të jetë aspak e lehtë, pasi që futbollisti me pasaportë franceze ka një klauzolë prej 100 milionë eurosh.

Mirëpo, pavarësisht vështirësive, mediat spanjolle shkruajnë se Simeone është i vendosur dhe do të bëjë maksimumin për ta afruar sulmuesin në Madrid.

Nga ana tjetër drejtuesit Betis-it pritet të bëjnë një shitje të madhe në këtë verë dhe ai që do të largohet, është mesfushori, Guido Rodriguez.

Edhe ky i fundit është i pëlqyer nga Atletico, por nuk është zgjedhja e parë për Simeone-n, i cili këmbëngul për Fekir.

Kujtojmë që Fekir po shkëlqen këtë edicion me skuadrën e Real Betis-it, i cili në 40 ndeshje në të gjitha garat, ka shënuar 10 gola dhe ka dhuruar nëntë asistime.

28 vjeçari u transferua nga Lyon-i në verën e vitit 2019 për shumën e 20 milionë eurove dhe deri më tani ka regjistruar 111 paraqitje me fanellën e klubit spanjoll, duke realizuar 22 gola dhe po aq asistime.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore