Lajme

Si falsifikohen dokumentet, një manual nga Ministria e Punëve të Jashtme


Dokumenti i falsifikuar

Ministria e Punëve të Jashtme dëshironte të blinte kundërligjshëm disa vetura në Kroaci me arsyetimin se ishin për misionet diplomatike.

Pasi një nga drejtorët, Agron Maloku, nuk pranoi të nënshkruante blerjen, meqë s’kishte kërkesë nga misionet dhe ishte kundër rregullave, nga sekretariati i ministrisë vazhduan procedurën duke provuar të marrin nënshkrimin e një vartësi të Malokut.

Me një praktikë të paparë më herët, Ushtruesja e Detyrës së Sekretarit të Përgjithshëm, Elmaze Pireva, kishte autorizuar një vartës të Malokut me emrin Xhelal Gega që të “fillojë me aktivitetin e prokurimit me titull: ‘Furnizimi me vetura dhe Kombi”.

Kur do kuptonte si është puna as Gega nuk do nënshkruante.

Si përfundim, ata protokolluan dokumentin pa nënshkrim fare.

Tri ditë më vonë, të vetëdijshëm se u duhet një nënshkrim patjetër për të vazhduar procedurën e blerjes, provuan një rrugë alternative.

Falsifikuan dokumentin që fillimisht ishte protokolluar me 8 dhjetor 2021.

Pasi dokumenti ishte i panënshkruar, zyrtaret e afërt me ministren Donika Gërvalla, do ta largonin dokumentin e parë nga dosja zyrtare dhe në të njëjtën kohë do falsifikonin një dokument të ngjashëm, por me një kohë retroaktive, që mban datën 5 dhjetor 2021.

Pra, një proces që kishte ndodhur tri ditë më parë, po ri-ndodhte sërish, por tani me anashkalim të personave kompetentë dhe caktim joligjor të zyrtarëve të tjerë që do nënshkruanin pa pyetur.

Paradoksalisht, sot, ekzistojnë dy dokumente për të njëjtën gjë me data të ndryshme – njëra e nënshkruar, tjetra jo.

Kjo manovër ishte e mjaftueshme që të vazhdohet tutje me blerjen ilegale.

Normalisht, gjithmonë me shpresën se nuk do të marrët vesh asnjëherë.

Historia e vjedhjes së veturave – Donika dhe Martin ku janë?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore