Lajme

Si e la Presidentja shtetin pa Kryeprokuror – fajet e politikës në vrasjen e shtatzënës 35 vjeçare


Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës që tetë muaj e ka lënë shtetin pa kryeprokuror, sepse kandidati që e mori miratimin e Këshillit Prokurorial, nuk po i pëlqen.

Blerim Isufaj ka pikë më së shumti nga testimet paraprake nga Këshilli Prokurorial dhe ishte votuar unanimisht më 6 prill nga anëtarët e KPK-së.

Gjithsesi, dekretimi i takon Vjosa Osmanit.

Ajo, nuk po e kryen pjesën e vetë, sepse Isufaj në llupën e pushtetit të ri, i takon “regjimit të vjetër”.

Megjithatë, kundërshtimi zyrtar nga presidentja është bërë në arsyetimin se ka pasur shumë ankesa për të njëjtin.

Duke refuzuar ta emërojë kandidatin Isufaj, që aktualisht është kryeprokuror i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Osmani ka lënë që 244 ditë institucionin kryesor hetues të drejtësisë në vend me Ushtrues Detyre.

Tash, kur ka ndodhur rasti tragjik i vrasjes makabër të shtatzënës 35 vjeçare në oborrin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, një nga kritikat më të mëdha u tha të ishte mos-funksionimi i sistemit.

Presidentja abuzon me “afatin e arsyeshëm” – Kosova qe 5 muaj pa Kryeprokuror

Sipas avokatit Skender Musa, hise ne faj ka edhe presidentja Osmani, e cila e ka në tavolinë emrin e kryeprokurorit, por nuk po e dekreton.

“E metë tjetër e sistemit që ka ndikuar në rritjen e krimit e sidomos të vrasjes së grave dhe femrave, dhunimeve, ngacmimeve seksuale, dhunës në familje është edhe mungesa e emërimit të Kryeprokurorit të Shtetit sepse rreth tetë muaj Prokuroria e Shtetit është me ushtrues detyre dhe kjo padyshim ndikon në efikasitetin e organeve të hetuesisë dhe të organeve akuzuese”, thotë Musa për Albanian Post.

Pos moszgjidhjes së kryeprokurorit, qe tre muaj, Policia e Kosovës ka mbetur me ushtrues detyre, pasi drejtori i saj Samedin Mehmeti pati dhënë dorëheqje.

Ndërkaq nga Ministria e Punëve të Brendshme nuk kanë treguar për AP se kur do të zgjidhet drejtori i ri.

Prandaj, Musa konsideron se zgjedhja e kryeprokurorit dhe drejtorit të policisë janë çështje urgjente për kryeministrin dhe presidenten.

“Janë dy institucionet kryesore për hetimin dhe luftimin e krimit dhe garantimin e sigurisë fizike të qytetarëve të Kosovës janë duke u drejtuar me ushtrues detyre për shkak se institucionet shtetërore kompetente janë duke nënvlerësuar rëndësinë e këtyre dy pozitave e që kanë rëndësi fundamentale për sundimin e ligjit dhe sigurinë e trupit dhe jetës së qytetarëve të Kosovës”, shtoi ai.

Kosova qe 3 muaj pa shef policie, konkursi për kryepolic “u zhduk” diku

Pothuajse në një linjë me Musën është edhe avokati tjetër Anton Nrecaj.

Thekson se përgjegjësia bie edhe mbi ata që e kanë për detyrë që t’i emërojnë në këto pozita, siç është rasti i kryeprokurorit, “prandaj në këtë rast barra e përgjegjësisë bie mbi presidenten”.

“Nga ana tjetër, për shkak që nuk kemi një drejtor të policisë, barra e përgjegjësisë i bie kryeministrit dhe qeverisë aktuale”, shpjegon Nrecaj për AP.

“Barra e përgjegjësisë bie mbi krerët e shtetit për shkak të mos veprimeve të tyre, barra e përgjegjëse ligjore bie mbi institucionet”.

Nrecaj thekson se presidentja duhet të marr një vendim, “ose ta kthej në pikë zero konkursin, ose ta emërojë kryeprokurorin e ri”.

Ai ka kritika edhe për qeverinë aktuale, pasi potencon se nuk kanë ndarë buxhet për t’u implementuar Ligji për Familje.

“Sidomos për këta persona që janë persona të rrezikshëm është kërkuar që vendosen sinjalizuesit. Qeveria sot nuk ndanë buxhet të mjaftueshëm as për Këshillin Gjyqësor as për Këshillin Prokurorial.

Ndryshe, më 30 nëntor, një ngjarje trishtuese ndodhi në hapësirat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku një grua 35 vjeçare – në ditët e fundit të shtatzënisë – mbeti viktimë e një krimi monstruoz.

Në anën tjetër i dyshuari S.H nga Shtimja, i cili dyshohet se vrau ish-bashkëshorten e tij shtatzënë, H.M mbrëmjen e të mërkurës në oborrin e Klinikës së Gjinekologjisë, vazhdojnë të jetë në arrati.

Policia kërkon ndihmë për arrestimin e dyshuarit për vrasjen e shtatzënës

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore